Annan: Siria në prag të luftës qytetare

Annan, që është i dërguar i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, ka përsëritur përkushtimin e komunitetit ndërkombëtar për vendosjen e 300 vëzhguesve të armëpushimit në Siri, deri në fund të këtij muaji.
Ai i tha Këshillit të Sigurimit se synon të kthehet në Damask gjatë ditëve të ardhshme.
Data e saktë e vizitës së tij në Damask nuk është caktuar ende.
Pas raportimit të tij në Këshillin e Sigurimit nëpërmjet të video-konferencës nga Gjeneva, ai u tha gazetarëve se “është shqetësim i thellë se vendi mund të zhytet në luftë të plotë qytetare dhe se implikimet e kësaj lufte do të ishin të frikshme”.
Në anën tjetër raportohet se në Siri një konvoj i misionit vëzhgues të Kombeve të Bashkuara, për pak i ka shpëtuar një shpërthimi të bombës.
Bomba shpërtheu afër konvojit të ushtrisë siriane, vetëm disa momente pasi aty kishte kaluar edhe karvani i misionit të OKB-së.
Agjencia AP thotë se së paku gjashtë ushtarë sirianë janë plagosur nga ky shpërthim në qytetin jugor Dara.