Annan vazhdon bisedimet me Assadin

Në ditën e parë të takimit, Assadi ka hedhur poshtë çdo dialog politik, derisa, siç ka thënë, në vendin e tij operojnë “grupet e armatosura terroriste”.
Agjencia shtetërore e lajmeve, SANA, ka cituar Assadin të ketë thënë se “dialogu politik nuk mund të jetë i suksesshëm, “derisa ka grupe terroriste që shkaktojnë kaos dhe jo-stabilitet”.
Annan, njëherësh ish-sekretar i përgjithshëm i OKB-së, nuk ka bërë komente publike pas takimit.
Ai po bën përpjekje të aranzhojë armëpushimin dhe qasjen më të madhe të organizatave humanitare.
Në deklaratën që ka bërë publike OKB-ja thuhet se Annan “ka shprehur shqetësim të madh për situatën në Siri”.
Kjo e fundit është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna që nga marsi i vitit të kaluar. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 7,500 persona janë vrarë në trazira.