E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anonimi shqiptar Marinetit: Ti je yll

Zbulohet poezia, një himn adhurimi që një anonim shqiptar i kushton themeluesit të Futurizmit, Filipo Marineti. Ndërsa në shqipe nuk kemi asgjë të përkthyer nga ky autor dhe nga futuristët italianë në përgjithësi, poezia "Ti je yl" është një surprizë që na vjen nga viti 1905. Meritë e studiuesit Pierfranco Bruni


Jehona e një zbulimi të rrallë dhe të fismë për botën e letrave, erdhi dje nga Italia në Tiranë. Në numrin e fundit të "Jeta Arbëreshe" revista dygjuhëshe italo-arbëreshe, që hidhet në qarkullim nesër, më 11 prill, ka botuar artikullin që merret me zbulimin e lidhjeve të Filipo Marinetit (Filippo Tommaso Marinetti, 1876- 1944) me Shqipërinë.


Në shkurt 2009 u bë një shekull nga koha kur ky personalitetit i kulturës, arteve dhe mendimit të lirë, shpallte në "Le Figaro" Manifestin e Futurizmit.

Ka plot 100 vjet që në shqipe ky artist nuk ka gjë që mund ta bëjë të lexueshëm, as atë, as shokët e tij.

Por nën mëngën e kësaj xhybeje që i ka izoluar bashkëkohësit shqiptarë, edhe pse të botës së lirë, del një fije e hollë ari si kjo poezi e pikuar me ndjeshmëri, dashuri dhe adhurim, me titullin në frëngjishte "Tu es l'étoile" që një autor anonim ia kushtonte themeluesit të futurizmit.


Ato janë botuar në revistën "Poezia" të vitit 1905 dhe Marineti ishte një nga drejtuesit e saj.


Merita e zbulimit të kësaj lidhjeje, e këtij "raporti" të fillimit të shekullit të njëzetë, kur futurizmi nuk ishte shpallur akoma si "ndodhi e të ardhmes" në arte, i takon Pierfranco Bruni-t, studiues i çështjeve letrare evropiane të shekullit të njëzetë dhe president i Qendrës së Studimeve dhe Kërkimeve "Francesco Grisi".

Në analizën të botuar në numrin e muajit mars (nr. 61, marzo 2009) të revistës italo-shqiptare "Jeta Arbëreshe" ("Mondo Italo - Albanese"), e cila drejtohet nga Agostino Giordano, Bruni i referohet saktë teksteve kushtuar drejtpërdrejt Marinettit në revistën "Poezi" ("Poesia") të qershor-korrikut të vitit 1905.


Studiuesi Ardian Ndreca të cilit i jemi mirënjohës për këtë njoftim, na ka dërguar kopertinën e këtij numri të revistës dhe faqen ku janë botuar dy poezitë.


Në esenë për Futurizmin dhe Marinettin në historinë e kulturës shqiptare të nëntëqindës, Pierfranco Bruni prezanton poezinë në dy gjuhë të autorit anonim shqiptar dhe pohon se "Marinetti ishte i njohur dhe i dashur në Shqipëri para Manifestit Futurist, që prej vitit 1905, aq sa t'i kushtonin poezi të shkruara krejtësisht në gjuhën shqipe".


Poezitë kanë titullin e përbashkët "Tu es l'étoile" (Ti je yll) me nëntitull: "Chanson Albanaise inedite" (Këngë shqiptare e pabotuar), e përkthyer në frëngjishte nga Ary René d'Yvermont. Ka edhe një poezi që mban titullin: "Sois le bienvenu" (Qofsh i mirëseardhur). Poezia e parë, versioni shqip i të cilës është në një shqipe të vjetër, ka një kushtim:

"Pour mon ami F.T. Marinetti" (Për mikun tim F.T. Marinetti).
"Këtu kishte, nënvizon Pierfranco Bruni, një interes të veçantë për Futurizmin. Letërsia italiane njihej në Shqipëri, madje studiohej.

Kështu që, duket se ka ekzistuar një dialog i rregullt i Shqipërisë me Italinë pikërisht për temën e Futurizmit dhe tregon se kultura shqiptare e njihte lëvizjen futuriste para se të botohej Manifesti në "Le Figaro" të vitit 1909.


Në revistën "Jeta Arbereshe" është botuar e plotë poezia kushtuar F.T. Marinettit në gjuhën shqipe bashkë me esenë e Pierfranco Brunit me titull "Prania futuriste në letërsinë shqipe". Ja çfarë shkruan autori anonim:


Ti jee yyl é ti jee drit
Yli kjoe delj ndaj të gdiit
Szoti ynoe të dhasht dit!
Fljasoen gjith bukuriin t'oende,
O shpyyrt.

Edhe szo kjet kuur koendojoen,
Shokj me shokj po liigjerojoen,
Po suboe gjuh te t'yre thojnoe
È fljasoen buhurin l'oende
O shpyyrt...etj

Janë dy nga katër strofat e nënshkruara "auteur inconnu" kushtuar poetit, artistit dhe mendimtarit italian.


Marineti ishte akademik edhe pse Futurizmi i tij është më shumë se kritik ndaj akademizmit dhe palimpsestit të traditës. Ai kishte marrë formim akademik për ligje në Paris, por vokacioni i tij mbeti letërsia të cilën e lëvroi si poezi, prozë, roman në vargje deri edhe si dramaturgji.

Traumat e dy vdekjeve në familje e vëllait 21-vjeçar dhe më pas e nënës, i shtyjnë që vdekja, aksidenti dhe dhuna të zenë deri-diku vendin e nocioneve në Manifestin e tij të hartuar në më pak se një vit. Aty janë të përvijuara elementët e anarkisë dhe të fashizmit.

Shumë më vonë ky artist do të bëhej mbështetës i Musolinit, i Partisë së tij Fashiste deri në momentin kur do të hiqte dorë nga qëndrimi radikal profashist dhe vetë angazhimi politik (më 1918 do të themelonte Partinë Politike Futuriste).


Kur flitet për manifestin futurist nënvizohen "thirrjet" që ftojnë të shkatërrohen "muzetë, bibliotekat, dhe çfarëdolloj akademie" dhe i thuren lavde luftës si "e vetmja higjienë e botës."

Këtë rrugë qe ndoqën bashkëpunëtorët që në krye, treshja e piktorëve Umberto Boccioni, Carlo Carrà dhe Luigi Russolo, pastaj poeti Aldo Palazzeschi.
Me shpërthimin e luftës italo-turke më 1911, ai u nis për në Libi si korrespondent për një gazetë franceze. Artikujt e botuar në "Beteja e Tripolit".


Në një periudhë tjetër të mëvonshme do të ndalej tek kërkesat ndaj gjuhës të shpallura si ambicje e "Fjalëve në liri". Qëllimi ishte për një sintaksë gjuhësore e ndryshme nga e traditës.


Marineti ishte një figurë kontradiktore që në gjallje qe jo ai që kërkonin urdhëresat e tij të shpallura në Manifest.


Është për të ardhur keq që ashtu si artistët dhe mendimtarët e lëvizjeve të tjera në vitet 20-30 në Evropë, Marineti dhe futurizmi i tij mbetet edhe për mjediset tona universitare një emër. Siç janë emra, vetëm emra, surrealistët, dadaistët e të tjera rryma brenda rrymave.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›