"Zogby", e majta fiton zgjedhjet parlamentare
SONDAZHI
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, fituese do të ishte PS-ja, por diferenca është ngushtuar. Forcat e majta kryesojnë me nëntë për qind më shumë
TIRANË- Nëse zgjedhjet parlamentare do të ishin mbajtur dje, atëherë e majta do të ishte fituese me një diferencë të lehtë. Por, asnjëra nga dy forcat kryesore politike nuk do të mund të marrë një mazhorancë të mjaftueshme për të qeverisur e qetë.
Gara e ardhshme elektorale e 28 qershorit, bëhet edhe më e paparashikueshme, pasi të dyja forcat kryesore rezultojnë të kenë një mbështetje në elektorat me një diferencë gati të pandjeshme.
Shifrat e fundit të sondazhit të "Zogby", kanë lënë PS-në në kuotën 38%, ndërsa PD-në në 36%. Një diferencë tepër e ngushtë, duke marrë parasysh edhe 11% të pavendosur. Ndërsa si koalicione, e majta kryeson me 47% të votave, kundrejt 38% të së djathtës.
Sipas sondazhit të tretë të kryer nga kompania e njohur amerikane "Zogby", Partia Socialiste, pavarësisht se ka një rënie krahasuar me një muaj më parë, vijon të ruajë kryesimin me 38 për qind të preferencave.
Ndërsa Partia Demokratike, ashtu siç edhe gjatë sondazhit pararendës ka rikuperuar një pikë, duke marrë 36 për qind të votave. Gjatë sondazhit të muajit janar, PD-ja morri vetëm 31 për qind të preferencave.
Por, ndërsa ngushtohet rezultati mes dy forcave kryesore, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për garën mes blloqeve politike. Kështu, për muajin mars, forcat e kampit të majtë rezultojnë të jenë më të favorizuara apo të parapëlqyera për qytetarët e marrë në intervistë ballë për ballë për këtë sondazh.
E majta gëzon në total një mbështetje prej 9 pikësh më shumë sesa e djathta, ose e thënë në shifra konkrete, ajo ka qenë e votuar nga 47 për qind e të pyeturve, ndërsa e djathta, në total ka një mbështetje prej 38 për qindësh.
Këto shifra e bëjnë paksa më të qartë polin fitues, pavarësisht se me këto rezultate asnjëra prej tyre nuk arrin të kalojë "50 % e artë".
Një tjetër e dhënë interesante në këtë sondazh të tretë të "Zogby"-t, është edhe gara mes koalicioneve, ku përsëri partitë e koalicionit që drejtohet nga PS-ja arrijnë të marrin 42 për qind të preferencave, pra, pa përfshirë këtu 5 për qindëshin e LSI-së, e cila ka deklaruar se do të dalë në zgjedhje me koalicionin e saj.
Nga ana tjetër, koalicioni i forcave që sot qeverisin vendin dhe që drejtohet prej PD-së, arrin të marrë vetëm 37 për qind, ndërsa koalicioni Polit të Lirisë përfaqësohet në këtë sondazh vetëm nga LZHK-ja, që merr një për qind.
Ajo që e bën akoma më interesante garën, është fakti se vetë kompania që ka bërë sondazhin, ka pranuar marzhin e gabimit nga 1 deri në 3.5 për qind.
Një tjetër e dhënë është edhe ajo që tregon mbështetjen e liderëve kryesorë të dy forcave të mëdha, Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama. Ashtu si edhe në dy sondazhet e mëparshme, mbështetja pozitive dhe ajo negative për këta dy drejtues, ruan të njëjtin trend.
Rama rezulton të jetë 46 për qind pozitiv dhe 51 për qind negativ, ndërsa Kryeministri Berisha 36 për qind pozitiv dhe 63 për qind negativ. Një risi në këtë sondazh është edhe testimi i atyre zgjedhësve që, deri më tani janë të pavendosur, nga i cili ka dalë se 49 për qind e tyre, kanë vlerësim më pozitiv për PS-në dhe 45 për qind PD-në. Kjo shifër tregon se të pavendosurit anojnë lehtas nga PS-ja.
Nga kjo kategori, 22 për qind janë shprehur se kanë vlerësim pozitiv për Kryeministrin Berisha dhe 78 për qind kanë thënë se kanë vlerësim negativ, ndërsa për Ramën 27 për qind kanë mendim pozitiv dhe 73 për qind negativ.
Gjatë muajit mars, përsëri mbeten pesë çështje kryesore që shqetësojnë më shumë shqiptarët, ku papunësia zë vend të parë, 78 për qind, duke shënuar një rritje të shqetësimit me pesë për qind.
Pas saj vjen ekonomia, me 63 për qind, ku në raport me muajin janar ka rënë si shqetësim me një për qind. Një shqetësim në rritje është konsideruar edhe inflacioni, ku në krahasim me muajin janar, ka shënuar 7 pikë plus.
Tabelë
Mbështetja për parti
PS 38%
PD 36 %
LSI 5 %
G99 3%
PR 1 %
PSD 1%
LZHK 1%
Jo të sigurt 11%
Nuk kanë pranuar të shprehen 5%
Vlerësimi për liderët
Berisha, 36% vlerësim pozitiv dhe 63% negativ
Rama, 46 vlerësim pozitiv dhe 51 negativ
Mbështetja mes të pavendosurve
Berisha 22 % pozitiv dhe 78 %negativ
Rama 27% pozitiv dhe 73 %negative
PS, 49 % pozitiv
PD, 45 % pozitiv
Çështjet që shqetësojnë më shumëPapunësia, 72 %
Ekonomia, 63 %
Varfëria, 46 %
Korrupsioni, 27 %
Inflacioni, 27 %