Rritet tregtia për shkurtin, thellohet deficiti
Për muajin shkurt, kemi eksportuar rreth 75 milionë USD mallra, por deficiti arrin në afro 250 milionë USD
TIRANË- Shqipëria shënoi një rritje të aktivitetit ekonomik gjatë muajit shkurt 2009, ku, si eksportet ashtu dhe importet, kanë qenë më të larta në krahasim me muajin paraardhës.
Por, të dhënat tregojnë se kjo rritje e aktivitetit ekonomik është shoqëruar edhe më një thellim të ndjeshëm të deficitit tregtar, krahasuar me muajin janar.
Referuar Institutit të Statistikave, gjatë muajit të dytë të 2009-ës, vendi ynë ka importuar 33.4 miliardë lekë mallra dhe ka eksportuar 7.5 miliardë, duke shënuar një deficit tregtar prej 25 miliardë lekësh, rreth 4.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me muajin e parë të vitit.
Sipas INSTAT-it, eksportet dhe importet kanë shënuar një rritje të dyanshme në krahasim me muajin paraardhës, por kanë pasur ulje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Për muajin shkurt 2009, rritja më e madhe vërehet në kahun e importeve, të cilat kanë shënuar 5 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin paraardhës, dhe 0.3 miliardë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008.
Pavarësisht se në krahasim me muajin janar 2009, vërehet një përmirësim i bilancit tregtar të vendit, eksportet vazhdojnë të shënojë shifra më të ulëta në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Gjatë shkurtit 2008, Shqipëria ka eksportuar 8.8 miliardë lekë mallra, kundrejt 7.5 miliardëve të të njëjtit muaj të këtij viti.
Duke korrigjuar rënien e konsiderueshme që pësuan gjatë muajit janar 2009, eksportet e disa grupeve të mallrave shënuan një rritje të ndjeshme në krahasim me këtë periudhë. Sipas INSTAT-it, eksportet e grupeve të mallrave si, "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" shënuan një rritje me 2.6 herë më shumë se janari i vitit 2009; "Lëkurë dhe artikujt prej tyre", me 19 për qind; "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi", me 15 për qind dhe grupi; "Materiale ndërtimi dhe metale" me 4 për qind.
Ashtu si edhe grupmallrat e tjerë, gjatë shkurtit 2009, një rritje me 2 për qind krahasuar me muajin janar, ka pësuar edhe importi i mallrave me akcizë, duke arritur vlerën e 3 miliardë lekëve. Vlera e këtij grupi mallrash përbën 9 për qind të totalit të importeve shqiptare, ku peshën më të madhe e zënë nënproduktet e naftës, me 70 për qind.
Një zë të rëndësishëm në rritjen e shifrave të importeve përbën edhe grupi i mallrave, "Materiale ndërtimi dhe metale" dhe "Ushqime, pije, duhan", të cilat respektivisht janë rritur me 35 dhe 22 për qind krahasuar me muajin janar 2009.
Për sa i përket volumit të shkëmbimeve tregtare me vendin tonë, Italia mban vendin e parë, me 65 për qind të totalit të eksporteve dhe 25 për qind të importeve. Ndërsa ne vend të dytë qëndron fqinji ynë jugor, Greqia, me 10 për qind të eksporteve dhe 16 për qind të importeve.