Anri Sala, në Vjenë për modelet femërore dhe mashkullore të diktaturës
Punëtoret e punëtorët heroikë dominonin artin e traditës socrealiste në vitet ‘60 të shekullit të shkuar. Bënin pjesë në propagandën e vendeve ku ishin vendosur regjimet. "Gender Check", një ekspozitë e madhe arti që hapet më 19 nëntor në muzeun modern të Vjenës, "Mumok", e rimerr diskutimin prej këtij viti, për të mbërritur në ditët tona. "Feminiliteti dhe maskiliteti në artin e Europës Lindore", përmes një ekspozite me 400 vepra arti, kërkon të sjellë në linjë kronologjike ndryshimet në paraqitjen e modeleve femërore e mashkullore në këto shoqëri, të cilat vitet e fundit janë zhvilluar në kushte të ndryshme shoqërore dhe politike. Kuratorja Bojana Peji, 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, së bashku me një grup ekspertësh nga 24 shtete, ka zgjedhur punimet që do të ekspozohen, të cilat përfshijnë piktura, skulptura, instalacione, fotografi, postera, filma dhe video. Në këtë diskutim artistik mbi gjininë, mes 200 artistëve të përzgjedhur do të jenë edhe dy shqiptarë, Anri Sala dhe Erzen Shkololli nga Peja. Bëhet e ditur se nga ana e organizatorëve ka pasur një kërkesë drejtuar galerisë sonë të arteve për të ekspozuar disa vepra të realizmit socialist, por që duket se nuk është marrë parasysh. Përzgjedhja e Salës, i cili vetëm pak kohë më parë ishte pjesëmarrës në Bienalen e Tiranës dhe e Shkolollit, nënkupton edhe një prezantim të ndryshimeve të paraqitjes së figurës femërore dhe asaj mashkullore në artin shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë. Femrat punëtore, por edhe luftarake, burra që ngrejnë hidrocentrale apo punojnë në miniera, tablo të tëra që himnizojnë punën kolektive, janë tipike edhe të artit socrealist shqiptar. Propaganda përfshiu një brez piktorësh të njohur, ndonëse tërthorazi mundoheshin të shfaqnin elementë të individualitetit të tyre. "Propaganda që shteti i asaj kohe i bënte programit për një "shoqëri jogjinore", u prit me ironi dhe u demaskua nga arti jozyrtar që lëvrohej. Pas periudhës së estetikës kolektive të shtetit utopik, në nivelin lokal u krijuan hapësirat për artin e pavarur e jo konformist, edhe pse këto tendenca ballafaqoheshin me përgjigje armiqësore. Duke filluar që nga vitet ‘70 të shekullit XX, fillon rishqyrtimi i idealeve të feminilitetit e maskilitetit edhe jashtë klisheve propagandistike të së kaluarës: autoportretet apo paraqitjet e trupave njerëzorë trajtohen me një ndjenjë të re vetëbesimi, që u reflektua edhe në hapjen ndaj seksualitetit, duke vënë në diskutim edhe standardet heteroseksuale dhe idealet heroike të maskinitetit. Emancipimi i rolit të modeleve në art u zhvillua njëkohësisht me emancipimin e mjeteve tradicionale shprehëse, prandaj lindën forma të reja artistike si fotografia, filmi, videoja dhe performanca. Njëkohësisht shtohet numri i artisteve femra që afirmohen", thekson kuratorja. Kur më 1989 ra Muri i Berlinit, kohë që shënoi edhe rënien e regjimeve socialiste, zhvillimet e reja u bënë edhe më të dukshme nën ndikimin e nacionalizmit dhe influencave neoliberale të Perëndimit. Liritë e porsafituara arritën njëkohësisht me kufizimin neokonservativ të roleve që së shpejti edhe vetë u bë temë e veprave artistike. Kritika e ideologjive shoviniste, militariste e ksenofobiste u interpretuan në kontekstin e teorive feministe. Filloi të diskutohet edhe një çështje e konsideruar tabu më parë: homoseksualizmi. U përmbysën klishetë për amësinë dhe idealet tradicionale. Ndërkohë, gjatë kësaj ekspozite që do të qëndrojë e hapur deri më 14 shkurt të 2010-ës, do të mbahen edhe tryeza diskutimesh. "Leximi i gjinive. Arti, fuqia e politika e prezantimit në Europën Lindore", do të jetë një prej atyre që do të mbahen më 13 dhe 14 nëntor në sallën e MUMOK-ut. Ekspertët ndërkombëtarë janë ftuar të flasin për rolin e teorive feministe në Europën Lindore, në krahasim me kontekstin perëndimor, për pozicione transgjinore, si dhe për kuptimet e reja që marrin sot gjinitë.
ol.li.
ol.li.