Ansambli koral Nënë Tereza vlerësohet në Kinë
Ansambli koral “Nënë Tereza”, i përbërë nga gjashtë këngëtare të njohura të skenës, mori pjesë nga data 15 deri më 26 korrik në edicionin e gjashtë të Olimpiadës Korale Botërore, i cili u zhvillua në Shaoxing të Kinë. Në këtë veprimtari ndërkombëtare, ansambli, i cili përfaqësoi vendin tonë, u nderua me diplomën e argjendtë. Ansambli koral “Nënë Tereza” përfshinte në repertorin e tij katër materiale muzikore, kryesisht pjesë të përpunuara të muzikës së Jugut dhe asaj korçare. Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në një konferencë për shtyp vlerësoi pjesëmarrjen në këtë aktivitet të rëndësishëm, ku Shqipëria u nderua me diplomën e argjendtë për performancën dhe për cilësinë artistike të treguar. Ansambli “Nënë Tereza” u themelua në vitin 2005 dhe është përfshirë në një sërë pjesëmarrjesh të rëndësishme në aktivitete kulturore brenda dhe jashtë vendit. Në edicionin e gjashtë të Olimpiadës Korale ishin të pranishëm 400 kore nga 82 shtete të botës.
#