Godo: Sulmet e PD-së ndaj Topit kanë prapavijë

Sulmet e Partisë Demokratike ndaj kreut të shtetit nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e Kushtetutës, por kanë prapavijë. Në këtë përfundim arrin presidenti i nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, i cili është shprehur dje kundër sulmeve që Partia Demokratike ka bërë së fundi në adresë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për çështjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Godo i ka konsideruar absurde dhe të nxituara deklaratat e Partisë Demokratike, sipas të cilave Presidenti ka shkelur Kushtetutën. "E njëjta praktikë është përdorur dhe në rastin e Presidentit Moisiu, i cili qëndroi dy muaj më shumë në detyrë, deri në zëvendësimin e tij, por askush nuk deklaroi se u shkel Kushtetuta", ka thënë Godo në një prononcim për mediat.
Sipas Godos, akuzat kanë një prapavijë të qartë, pasi palët presin të zënë në gabim njëra-tjetrën. "E kanë një prapavijë, se po të mos ishin këto tendenca, nuk do kishte pasur probleme të tilla", ka pohuar kreu honorifik i republikanëve, duke thënë se Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës dhe se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre.
Godo nënvizon se Presidenti i Republikës duhet të fillojë konsultimet që tani me përfaqësuesit e grupeve parlamentare për të evituar një ngërç të mundshëm që do të krijohej nga rrëzimi i dekreteve të tij për Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti i Republikës u sulmua ashpër dy ditë më parë nga deputetë të partisë, që e zgjodhi atë si President. Ish-kolegët e akuzuan Topin se ka shkelur Kushtetutën me vonesat në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kreut të së cilës i ka mbaruar mandati.
#