E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët europianët, aksion pastrimi në Gjirin e Lalëzit

Të rinjtë bashkë me ministrin Mediu mblodhën dhjetëra thasë me mbeturina, të grumbulluara nga pushuesit

Rreth 150 studentë nga Europa ndodhen për pushime në kamp në Gjirin e Lalëzit. Ata kanë ardhur për t’u njohur me Shqipërinë dhe ekosistemin që ofron ky vend. Dje, vetë ministri i Mjedisit i ka vizituar, duke zhvilluar edhe një debat për çështjet dhe politikat që po ndërmerren dhe janë prioritet aktualisht në vendin tonë. Për të treguar shembullin e tyre të mirë, por edhe për të përkrahur “platformat ambientaliste”, të rinjtë kanë pastruar dje një pjesë të zonës pranë Gjirit të Lalëzit.

Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, zhvilloi një takim me një grup studentësh të Gjeo-Shkencave, të ardhur nga vende të ndryshme të Europës. Të akomoduar në një kamping veror me çadra në Gjirin e Lalëzit, rreth 150 studentë do të qëndrojnë në Shqipëri përreth një javë, ku do të njihen me natyrën, mjedisin, gjeologjinë dhe zhvillimin e saj, historinë e Shqipërisë. Duke i falënderuar studentët e huaj për ardhjen e tyre, si dhe për interesimin që ata tregojnë për Shqipërinë, ministri Mediu vuri theksin mbi punën e madhe dhe hapat shumë të rëndësishëm që janë bërë nga Ministria e Mjedisit.

Sipas kreut të politikave ambientaliste, një proces mjaft i rëndësishëm, i cili është prioritet për vendin, është edhe përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së, duke përmendur të gjitha përpjekjet që janë duke u bërë për të krijuar një paketë ligjore edhe më të konsoliduar, gjithnjë në shërbim të mjedisit.

Në këtë pikë u ndal edhe në paketën ligjore që po përgatitet për trajtimin e mbetjeve të plastikës, të cilat në masën 80 për qind janë ndotësit kryesorë edhe në bregdetin e Gjirin të Lalëzit. Ekspertët e mjedisit, që shoqëronin grupin e studentëve, gjatë bisedës me të rinjtë kanë përmendur edhe punën që është duke u bërë në bashkëpunim me vendet fqinje, për ruajtjen e zonave dhe hapësirave ndërkufitare, shtimin e zonave të mbrojtura, menaxhimin e parqeve kombëtare dhe hapësirave pyjore, por edhe për sa i përket ndërgjegjësimit të shoqërisë, e cila tashmë ka nisur të bëhet më e ndjeshme ndaj problemeve dhe çështjeve mjedisore. Në përfundim të këtij takimi, ministri Mediu, së bashku me studentët e pranishëm, organizuan edhe një aksion për pastrimin e plazhit të Gjirit të Lalëzit, duke mbledhur me dhjetëra thasë me mbeturina, të akumuluara gjatë ditëve të fundit nga pushuesit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›