Ansambli në kohën e Gjerdanit të Artë
Pas arieve të zgjedhura nga repertori operistik botëror, është radha e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të zbulojë perlat popullore. I titulluar "Gjerdani i Artë 2", sot në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, vijon stina e koncerteve të dimrit që ka nisur qysh në muajin dhjetor, me të njëjtin titull dhe ofron numra të zgjedhur nga repertori i Ansamblit, si nga ai vokal dhe koreografik. Përmes zërit të Irini Qirjakos dhe grupit Polifonik do të vijnë këngët më të mira të Shqipërisë së Jugut, por nuk do të mungojnë edhe baladat e veriut, të kënduara nga artistët e Ansamblit. Për organizatorët me anë të këtyre koncerteve po iu bëhet homazh, jo vetëm viteve të famshme të Ansamblit, kur fitonte çmime ndërkombëtare, mes të cilave dhe "Gjerdanin e Artë", por edhe për të afruar publikun e lidhur gjithnjë me kulturën kombëtare.