E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet gripi, në shkurt, rreth 17 mijë raste në javë

Sipas drejtorit të ISHP-së, Ylli, studimi epidemiologjik tregon se do të ketë rreth 17 mijë raste të prekurish në javë. Vaksinohuni
Alarmi
Muaji shkurt do të përfshihet nga vala e gripit që do të "sulmojë" mijëra njerëz në vendin tonë. Ky është parashikimi i specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilëve, gripi do të rikthehet akoma më rëndë ndaj dhe rekomandojmë që njerëzit të vaksinohen për t'u mbrojtur nga këto viruse. Sipas kreut të ISHP-së, Alban Ylli, nga parashikimet mendohet se muajin e ardhshëm në të gjithë vendin do të ketë rreth 17 mijë raste me grip në javë.
Gripi
Gripi i vërtetë pritet të shpërthejë në muajin shkurt. Kështu, vetë institucioni që mbulon Shëndetin Publik paralajmëron ardhjen e virozave të ndryshme gripale. Sipas tyre, rreth 17 mijë persona pritet të preken çdo javë nga gripi dhe kjo situatë parashikohet të zgjasë deri në fund të marsit. "Mund të themi se në vendin tonë, në periudhën e shkurtit do të kemi infeksione respiratore akute. Për çudi, gripi do të jetë problematik në vendin tonë. Një parashikim i bazuar në të dhënat tona historike, mund të jetë rreth 17mijë raste në javë të infeksioneve respiratore akute",- thekson Alban Ylli, duke shtuar se kjo mbështetet pikërisht në analizat epidemiologjike për gripin. Ndërkohë ISHP bën të ditur se aktualisht në vendin tonë raportohen rreth 150 fëmijë që vizitohen nga gripi në ditë, si dhe rreth 70 të rritur me simptoma gripale. Megjithatë, epidemiologët ende nuk kanë identifikuar tipin e gripit që qarkullon në Shqipëri. Ndërkohë, specialistët e ISHP-së shpjegojnë se në Europë është zyrtarizuar që prej 24 janarit sezoni i rrezikshëm i viruseve të gripit A dhe B, si dhe nëntipet e tyre, H1, N1. "Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, numri i rasteve të konfirmuara në laborator me grip është rritur në disa shtete europiane",- pohojnë specialistët e ISHP-së duke shtuar se kjo pritet të ndodhë edhe në vendin tonë.
Vaksinimi
Në prag të shpërthimit të një epidemie të mundshme gripale, specialistët rekomandojnë bërjen e vaksinave antigrip. Sipas tyre, tani janë në kohë për t'u vaksinuar, që është e vetmja mundësi për t'i bërë ballë virozave që do të qarkullojnë në vendin tonë. Kështu, kreu i ISHP-së, Alban Ylli pohon se për disa grupe të riskuara nga gripi po aplikohet vaksinimi falas. "Do të doja të informoja publikun se nga ISHP-ja mund të vaksinohen falas personeli arsimor i qytetet të Tiranës, si edhe nxënësit e shkollave 8-të vjeçare dhe shkollave të mesme. Por kjo me konsensusin e prindërve",- pohon Ylli, duke shtuar se kjo fushatë vaksinimi do të aplikohet edhe tek të moshuarit. Sipas tij, në qendër të vëmendjes për vaksinim falas do të jetë edhe personeli shëndetësor, si grupi më në risk ndaj virozave. Ndërkohë, bëhet e ditur se shërbimi i aplikimit të kësaj vaksine nisi në shkollën e mesme të përgjithshme "Sami Frashëri", në Tiranë. Ky shërbim, sipas specialistëve të ISHP-së do të kryhet gjatë dy javëve të ardhshme edhe në institucione të tjera arsimore dhe shëndetësore të Tiranës.
150 fëmijë vizitohen aktualisht në ditë, nga gripi në vendin tonë
70 të rritur vizitohen aktualisht nga gripi në ditë, në vendin tonë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›