Antarësimi në NATO, Belgjika ratifikon protokollin
BRUKSEL- Belgjika ka ratifikuar protokollin e antarësimit të Shqipërisë në NATO. Dhoma e Përfaqësuesve të Belgjikës ka marrë sot vendimin për miratimin e këtij protokolli. Kështu Belgjika shndërrohet në vendin e 19-të që ka pranuar ratifikimin për antarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Ky vendim është shprehje e mbështetjes të vazhdueshme të Belgjikës për procesin e integrimit Euroatlantik të Shqipërisë dhe i shërben konsolidimit të mëtejshëm të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë Ministria e Jashtme e Shqipërisë, duke falenderuar të gjitha shtetet që kanë pranuar ratifikimin ka theksuar faktin se Shqipëria do të vazhdojë e vendosur në rrugën e pakthyeshme të reformave, për të përmbushur me sukses angazhimet e saj dhe për të rritur më tej kontributin në Aleancë në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
(e.n/Balkanweb)