Antidroga, marrëveshje me Rusinë
Sot në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin për Kontrollin e Trafikut të Narkotikëve të Federatës Ruse për luftën kundër trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve të tyre.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri Bujar Nishani dhe Drejtori i Shërbimit Federal të Kontrollit të Trafikut të Narkotikëve të Rusisë, Viktor Ivanov.
“Sot nënshkruajmë një marrëveshje e cila është një shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët politik për t’u angazhuar në këtë bashkëpunim në luftën kundër kësaj sfide të madhe, e cila është një e keqe për jetën dhe shëndetin e qytetarëve të të dyja vendeve tona, por natyrisht edhe për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë”, - u shpreh Ministri Nishani.
Ai theksoi se kjo marrëveshje është në vazhdën e marrëveshjeve dhe bashkëpunimit të ngushtë që Shqipëria ka ndërtuar me vende të rajonit, të Bashkimit Europian apo me vende të tjera, falë të cilave vetëm tre vitet e fundit janë kryer 31 operacione të përbashkëta, me 50 persona të arrestuar vetëm në vendin tonë.
Në këtë kontekst, Ministri Nishani tha se edhe marrëveshja e bashkëpunimit me Federatën Ruse synon t’i përgjigjet sfidës së trafikut të lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar që nuk njeh kufij dhe është bërë gjithnjë e më shumë i sofistikuar.
Drejtori i Shërbimit për Kontrollin e Trafikut të Narkotikëve të Federatës Ruse, Viktor Ivanov, shprehu angazhimin për zbatimin me sukses të marrëveshjes në të gjitha aspektet e saj, të forcimit të kuadrit ligjor, shkëmbimin e përvojave të agjencive të dy vendeve, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta dhe të punës së përbashkët hetimore për të zbuluar dhe goditur vatrat e kriminalitetit dhe në veçanti të trafikut të lëndëve narkotike. /abcnews/