E Hënë, 2 Nëntor 2026

Antikanabis në Lazarat, asgjësohen mbi 8 mijë rrënjë

Gjirokastër- Policia e Gjirokastrës e mbështetur nga Forcat RENEA ka nisur një operacion antikanabis në Lazarat.

Ndërhyrja është bërë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në mënyrë të beftë, kur forcat kanë hyrë në brendësi të fshatit, njohur për kultivimin e kanabis sativës, ende pa zbardhur mirë dita.

Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se opreacioni është koduar “Era e Malit” dhe vjen fill pas paralajmërimit të bërë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në kohën e vizitës në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.

Mësohet se deri në përfundim janë asgjësuar mbi 8 mijë rrënjë bimë narkotike. Aksioni është zhvilluar në të gjithë fshatin, duke korrur parcela të tëra me hashash. “Aksioni ka vijuar normalisht dhe nuk janë shënuar konfrontime me banorët”- thonë burimet policore, duke shtuar se aktualisht nuk flitet për persona të shoqëruar për akuzën e kultivimit të kanabis sativës.

Kjo ëshë hera e parë për këtë vit që ndërhyet në këtë fshat për asgjësimin e bimës narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›