E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika: Barazimi në Bosnje na favorizon

 

Sonte, në orën 20.00, në "Qemal Stafa", ndeshja e kthimit e Kupës Uefa, Partizani-Shiroki

Në orën 10 të paradites së djeshme, në ambientet e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa", përfaqësues të Partizanit dhe të Shiroki Brijegut kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për mediat. Interesi për këtë konferencë ishte i paktë, pasi të pranishëm ishin vetëm tri televizione shqiptare si dhe katër përfaqësues të shtypit të shkruar. Në këtë konferencë nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i medias boshnjake. Përballë gazetarëve të pranishëm janë vënë trajneri i Partizanit, Hasan Lika, ndërsa boshnjakët përfaqësoheshin me trajnerin Ivan Kataliniç si dhe kapitenin e skuadrës, Dalibor Shiliç. Gjatë kësaj konference, që nuk zgjati shumë, doli qartë se të dy ekipet besojnë në kualifikimin, pasi sipas tyre, ndeshja e parë, që ka përfunduar 0-0, nuk ka përcaktuar asgjë. Por si trajneri i "demave të kuq", Hasan Lika, dhe kroati Ivan Kataliniç janë të mendimit se për sfidën e sotme Partizani është më favorit, megjithatë përcaktues do të jetë interpretimi që futbollistët do të bëjnë në fushën lojës. "Përpara zhvillimit të takimit, si Partizani dhe Shiroki i kanë të përafërta shanset e kualifikimit. Por më e rëndësishme do të jetë se çfarë do të japim në fushën e lojës, pra shanset tona varen nga interpretimi që do të bëjmë gjatë zhvillimit të ndeshjes. Shpresoj të bëjmë më të mirën për ta kaluar me sukses. Takimi i sotëm ndryshon nga ai që zhvilluam në Bosnjë, por barazimi 0-0 i para dy javëve na jep të drejtë që të besojmë më shumë në kualifikim, pasi për ne ai ishte një rezultat pozitiv. Gjithsesi, asgjë nuk ka përfunduar, kështu që na del për detyrë që ta fitojmë takimin, i cili luhet në fushën tonë,"- është shprehur dje për mediat trajneri i të kuqve, Hasan Lika.

Kataliniç: Shanset, 60 me 40 për Partizanin

Në ndryshim nga dy javë më parë, trajneri i Shiroki Brijegut është më i kënaqur me gjendjen e skuadrës së tij, pasi grupi po konsolidohet nga dita në ditë dhe për sfidën e sotme do të ketë në dispozicion edhe tre futbollistë cilësorë, që ishin të pamundur për takimin e parë. Trajneri Kataliniç, i cili në të kaluarën ka drejtuar edhe Dinamon, beson se skuadra e tij do ta synojë deri në fund kualifikimin, megjithëse e shikon Partizanin si më favorit për të vazhduar më tej në Kupën UEFA. "Mendoj se të dy ekipet kanë shanse të barabarta për t'u kualifikuar, por besoj se Partizani ka avantazhin e të luajturit në shtëpi, kështu që shanset për kualifikim mund të jenë 60 me 40 për të kuqtë. Partizani është një skuadër solide dhe me eksperiencë, gjë të cilën e demonstroi edhe në takimin e parë, që u luajt në Bosnjë. Këtë gjë e dija edhe më parë, pasi kisha një ide për të kuqtë që nga koha, ku kam drejtuar në Shqipëri. Partizani e di mirë se çfarë duhet të bëjë dhe si duhet ta bëjë. Ne do të luajmë të hapur dhe për fitore. Pa dyshim që duam të shënojmë të parët, pasi atëherë do ta kishim më të lehtë ta kontrollonim takimin deri në fund. Ndoshta fati do të jetë me ne, pasi tani e kemi më të kompletuar ekipin dhe kemi më shumë forcë se në takimin e parë. Për takimin e sotëm Shiroki do të bëjë disa ndryshme në formacion, në karahasim me atë që kemi rreshtuar para dy javësh. Besoj se do të jemi më të fortë, pasi do të jenë të gatshëm Topiç, Zelenika dhe braziliani Vagnera de Souza. Megjithëse Partizani është më favorit, përsëri asnjë nga skuadrat nuk do ta ketë të lehtë që të arrijë kualifikimin. Gjithsesi, besoj te skuadra që drejtoj dhe kam shpresa të mëdha se Shiroki do të festojë në fund,"- u shpreh trajneri kroat i Shiroki Brijegut, Ivan Kataliniç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›