Trojanët luajnë pa lekë
Trupa e aktorëve në tragjedinë e Euripidit nuk është paguar akoma. Drejtori Skrami: “Do të paguhen.” Pagesën e plotë e marrin pas 20 shfaqjeve, që dmth vitin e ardhshëm.
Kurse Ema Andrea, aktorja në rolin e Kasandrës, tregon përvojën me TK dhe nuk e fsheh as ajo që s’është paguar. Por nuk ka frikë sepse ka nënshkruar një kontratë
Teatri Kombëtar bëri dje të ditur për mediat se “mbylli me sukses sezonin artistik janar- korrik 2008. Është hera e parë që institucioni i Teatrit Kombëtar mbyll sezonin në fund të korrikut, duke përmbushur kërkesën e spektatorit jo vetëm të Tiranës, por edhe në skenat jashtë saj për të dhënë sa më shumë shfaqje.” Janë të njëjtat fjalë, komente dhe argumente që drejtori Kristaq Skrami dha mbi politikën, të rejat dhe arsyet pse në sezonin që iku është dyfishuar numri i biletave të shituara, 50% më i lartë se në vitet 2005-2006. Përdorimi më agresiv i marketingut mund të jetë një arsye. “Marketing agresiv” sipas drejtorit, do me thënë një makinë që gjesdis Tiranën me afishet e shfaqjeve, ndonjë reklamë në tv dhe pasja e 20-30 mijë adresa e-maili!
Duke marrë shkas nga prodhimi i fundit i TK në bashkëpunim me artistë grekë, “Trojanet” e Euripidit, Skrami u pyet për “trajtimin” e të huajve në raport me artistët shqiptarë. Skrami nuk mohoi që trupa shqiptare, e përbërë nga më shumë se 20 aktorë si Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, Luiza Xhuvani, Gulielm Radoja, Ema Andrea, Marjeta Ljarja, Eftjola Laçka, Loredana Gjeçi, etj. nuk është paguar për punën që ka bërë. “Do të paguhen”, tha Skrami dhe “sqaroi” se në bazë të kontratës aktorët marrin menjëherë pas premierës 60% të vlerës për të cilën është rënë dakord, dhe pjesën tjetër pasi të jenë dhënë të gjitha shfaqjet. Premiera absolute e “Trojaneve” ka qenë më 18 korrik në skenën antike të Butrintit, dhe aktorët ende s’janë paguar. Ndërsa pagesa e plotë i bie që të merret në vitin 2009.
Një vepër aq e lodhshme është bërë falas. Trupa e aktorëve është për t’u përshëndetur për sakrificën nga njëra dhe më anë tjetër për ta përmendur që raste të tilla janë për t’u denoncuar. Askush nuk do të guxonte të dilte hapur për problemin sepse një pjesë e aktorëve merr rrogën në këtë Teatër dhe pjesa tjetër thotë shyqyr që iu dha rasti për punë. Historia u mbyll me kaq, TK mori pushimet, gjithçka që ndodh është normale.
Ema Andrea, aktorja që interpretoi Kasandrën tek “Trojanet” tregon në këtë intervistë përvojën me një regjisor të huaj dhe me Teatrin Kombëtar. Për herë të fundit Andrea ka bashkëpunuar me TK më 2001 për dramën “Utopos” dhe qysh atëherë, TK mbeti një ambient artistik “i cili nuk më ka pranuar asnjëherë dhe tek i cili nuk jam afruar asnjëherë”. Ajo pohon se nuk është paguar për një rol me vështirësi të lartë fizike si Kasandra, por nuk i jep aq rëndësi edhe për arsyen se nuk do ta besonte kurrë që kontrata e saj me Teatrin Kombëtar, të shkelet.
Ema, si e fitove rolin e Kasandrës?
Kam bërë audicion, siç kanë bërë gjithë vajzat e korit. U lajmërova nga TK për audicionin e kësaj vepre, tekst që të them të drejtën nuk e njihja. Jam takuar me regjisorin Vangjelis Thedoropulos, dhe pas një muaji kam marrë përgjigje që kisha fituar rolin e Kasandrës.Puna filloi më 2 maj.
Dhe ti vendose marrëdhënien e parë kontraktuale me TK, pas asaj të vitit 2001 për dramën “Utopos”.
Po, është një marrëdhënie e shkruar, e vlerësuar financiarisht sipas vlerësimit artistik që bëri regjisori për vështirësinë e rolit ose për çfarë ka parë ai tek unë.
Jam shumë e nderuar me vlerësimin artistik që më ka dhënë regjisori dhe për rrjedhojë edhe për vlerësimin financiar që më ka bërë TK. Nuk mund ta tregoj sa jam vlerësuar sepse më duket më i rëndësishëm ky vlerësim artistik që për mua ka qenë maksimal.
Sa shfaqje përfshin pagesa jote?
15-20 shfaqje.
Në krahasim me dikur, çfarë ka ndryshuar në TK?
Ndryshimi në pagesë, sepse kanë ndryshuar pagesat. Pastaj për të tjerat është e njëjta gjë. Kur unë kam punuar për “Utopos”, kemi qenë të gjithë të kontraktuar dhe gjithçka u ndërtua mbi një frymë dashurie, dëshire.
Kurse tek “Trojanet” raporti ka qenë më i ftohtë, qoftë raporti administrativ, qoftë raporti me shfaqjen, sepse është nga ato shfaqje në të cilat unë kam kuruar vetëm pjesën time, se në përgjithësi merakosem për gjithçka.
Çfarë do të veçoje nga marrëdhënia me një regjisor të huaj që vjen nga një botë që e ka “të vetën” dramaturgjinë e antikitetit?
Nga ana profesionale nuk kam ndjerë asnjë vështirësi, përveçse kënaqësi. Thedoropulos është një regjisor që di të merret shumë mirë me aktorin. Rezultatet janë tjetër gjë. Unë mund të them që është regjisori i parë që më “ka nënshtruar”, më ka vënë në prova, në etyde të vitit të parë. Ai njeri, njohurinë e tij për tragjedinë e ka ofruar tek ne shumë bukur dhe në mënyrë shumë modeste. Nuk ka luajtur kurrë me faktin le të themi, e injorancës tonë për sa i përket tragjedisë. Përkundrazi shprehja e tij ishte “hajde ta zbulojmë së bashku”.
Më ka pëlqyer shumë eksplorimi së bashku. Ky është dhe mentaliteti im i punës, të marr dhe të jap. Nuk më pëlqen të jem aktore motor. Në këtë kuptim, unë jam e sigurt që kam bërë atë që ka dashur regjisori. Mënyra se si ka punuar me mua, më ka bërë të ndihem krijuese në punën time.
Kasandra ka qenë sfidë e vërtetë, së pari sfidë fizike. Trajnimi fizik që më është bërë nga koreografi dhe nga regjisori ka qenë i tillë që loja në skenë të duket e lehtë. Teknikisht është e vështirë si skenë, por kush është profesionist di ta vlerësojë …
Të bën përshtypje që ka aktorë të talentuar shqiptarë që e marrin për tregues të civilizimit qytetar të regjisorit mungesën e kërkesës së llogarisë dhe faktin që ai i lë të lirë në skenë të bëjnë ç’mendojnë.
Ky mbase është një regjisor për tu martuar (qesh). Në kuptimin e punës gjithsecili ka stilin e vetë, ka regjisorë diktatorë, ka regjisorë tolerantë. Problemi është të gjesh gjuhën e përbashkët. Që regjisori të jetë qytetar, kjo besoj është detyrë e çdokujt.
Problemi është që në marrëdhëniet regjisor-aktor, tek ne, ekziston një mentalitet i adhurimit. Ka regjisorë që i adhurojnë aktorët, por harrojnë që i prishin punë njëri-tjetrit. Teatri është eksplorim dhe laborator si për regjisorin, si për aktorin dhe këtë s’e ndryshon dot njeri.
Të bën përshtypje kthimi pas shtatë vitesh në TK?
Oh, po punoj në Teatrin Kombëtar (qesh). Tek hapësira ime profesionale ndihem e nderuar dhe e lumtur. Ishte fat i madh që regjisori grek nuk kishte për mua as mendim pozitiv, as negativ përderisa nuk më njihte. Kështu që raporti ynë u ndërtua në bazë të njohjes gjatë punës. Ndjehem vërtet krenare për realizimin e këtij roli.
Sa për marrdhëniet me TK mund të them se kam lidhur një kontratë në mënyrë shumë korrekte dhe jam përgjigjur në mënyrë korrekte për gjërat që kishte nevojë spektakli.
Je paguar për Kasandrën?
…do të paguhem, është çështje ditësh.
Ti ke punuar deri tani si shumë të tjerë të trupës, pa u paguar?
Po. Pagesa duhej të bëhej pas premiere. Dhe ne jemi pas premiere… është çështje burokracie, është punë ditësh, javësh. Nuk e di.
Kjo nuk ka rëndësi për ty?
Jo dhe aq, të them të drejtën, përveç kënaqësisë profesionale që mora, faktit që bëra një rol pa tradhtuar profesionalizmin tim në një ambient artistik i cili nuk më ka pranuar asnjëherë dhe tek i cili nuk jam afruar asnjëherë, që do të thotë Teatri Kombëtar. Më pëlqen që eksperienca ime tregon që profesionalisht mund të punosh me këdo dhe kërkush nuk mund të ta shkelë as punën, as talentin. Kurse me vonesat e pagesës jam përballur gjithë jetën… Kam një kontratë të shkruar që nuk do të shkelet asnjëherë, kështu që s’kam frikë.
Ardhja e një regjisori të huaj, i dyti në dy vjet, të duket hapje e menduar apo një aksident në politikat e TK?
Le ta quajmë “hapje e menduar” sepse kemi qejf të shpresojmë për më të mirën. Thonë që do të vijë dhe një regjisor anglez, tani në shtator. Unë uroj shumë që ai të bëjë këtë kërkim aktorësh siç bëri dhe regjisori Vangjelis Thedoropulos dhe të mos ndeshet me klishetë, me mbylljen e Teatrit dhe me mitet e këtushme.
Rasti i Thedoropulosit bëri mirë sepse u futën në punë shumë goca të reja, që janë përballur me përvojën e teatrit, me të mirën dhe me të keqen.
Drejtori i TK sapo deklaroi se për këtë sezon ka një rritje të shitjes së biletave 50% më shumë se në 2005-2006. Si e komenton, çfarë ka ndryshuar?
Jam e sigurt që është çështje publiciteti. Një shfaqje që i është bërë publicitet i mirë, shitet mirë. Mua këtë nuk ma heq njeri nga mendja. Jam dëshmitare e projekteve private shumë cilësore, aspak abuzive në temë, në tekst apo me emocione të bërtitura, të cilat ngaqë s’kanë pasur fuqinë e publicitetit janë vënë në skenë 3-4 herë, zoti kur i ka parë, janë shfaqur edhe 10 herë, shfaqje që kanë pasur sukses jashtë dhe këtu në Shqipëri s’ka arritur t’i njohë publiku. Por nuk kam përshtypjen që rritja e numrit të biletave të shitura të ketë lidhje me rritjen cilësore të shfaqjeve. Në këtë drejtim TK është në atë nivel që ka qenë gjithmonë.