E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikiteti italian në penelin e piktorëve shqiptarë

02/05/2009  Bota e vogël antike këtë herë vjen e parë në një tjetër këndvështrim. Vjen përmes syve të dy piktorëve shqiptarë.

Dy artistët nga Tirana, Bertrand Shijaku e Adrian Çene, për 10 ditë ishin të ftuar në Itali, ku me penelat e tyre u dhanë jetë peizazheve të bukura të krahinës së Valsoldes.

“Ndodheshim aty nga data 10-20 prill me ftesë të bashkisë së krahinës së Valsoldes, e cila i përket qytetit të Comos, Itali, në projektin e organizuar nga diplomati Gianluca Sambicini dhe të kryetarit të bashkisë së krahinës së Valsoldes, zotit Alberto de Maria”, - pohojnë dy piktorët, të cilët krijimet e realizuara gjatë kësaj periudhe i ekspozuan në sallën e këshillit komunal të bashkisë së krahinës. “Bota e vogël antike e shprehur nga piktorët shqiptarë” u quajt ekspozita, për shkak se në këtë krahinë në Veri të Italisë në vitet 500-600 piktorë të Rilindjes italiane kishin lëvruar pikturën e afreskut në arkitekturën e zonës, si p.sh. në kishat dhe ndërtesat e zonës. Ndërkaq mund të themi se një autor i njohur i kësaj periudhe ishte dhe piktori Pagani, i cili kishte dhe një muze në këtë krahinë. “Ky projekt mori, si të thuash, jetë nga kjo ide, për të ringjallur dhe një herë këtë atmosferë piktoreske, që u prit me shumë entuziazëm dhe dashamirësi nga artdashësit e zonës, nga stafi i bashkisë dhe nga vetë këshilltari për kulturën, zoti Carmine Vernizzi”, - shprehen Shijaku dhe Çene. Piktorët shqiptarë pikturuan për 8 ditë rresht pikat më sinjifikative të zonës, duke shprehur në ngjyrë dhe në kompozim veçoritë e kësaj krahine. Pikturat ishin në teknikën e vajit në kanavacë dhe gjithsej u ekspozuan 17 prej tyre, nëntë prej të cilave të piktorit Adrian Çene dhe 8 të tjerat të piktorit Bertrand Shijaku. Pikturat i përkisnin zhanrit të peizazhit, por ato u interpretuan nga artistët, duke sjellë një ekspresion të ri plot ngjyrë në mjediset e Valsoldes. Nga personalitete dhe artdashës që morën pjesë në hapjen e ekspozitës, “artistët shqiptarë sollën diellin dhe kolorin mesdhetar, një atmosferë tjetër, që ndihet nga piktorët ballkanas”. Ekspozita qëndroi e hapur për dy ditë me radhë, në datat 18-19 prill. Për piktorët Shijaku dhe Çene vlen të përmendet puna me vlerë e kuratorit Gianluca Sambucini, i cili bëri të mundur organizimin e gjithë këtij projekti. Në vazhdimësi të aktivitetit të tyre, Bertrand Shijaku e Adrian Çene kanë shfaqur në Athinë, në festivalin ndërkombëtar të filmit të animuar, filmin “Tattoo”, i cili konkurroi në sesionin e filmave ndërkombëtarë në datat 2-5 prill. Ky film ishte dhe në konkurrim në festivalin e filmit të shkurtër “Grezland Filmtage”, Selb, Gjermani, që u zhvillua nga datat 16-19 prill dhe pritet të konkurrojë dhe në festivalin e filmit “Maremetraggio” në Trieste të Italisë në seksionin CEI, ku bëjnë pjesë Çekia, Austria, Hungaria, Sllovakia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›