E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antimitingu i 1 majit, dështon festa e PD-së

TIRANË - Manifestimi i Partisë Demokratike në ditën e djeshme të 1 majit rezultoi i dështuar, edhe pse qëllimi kryesor i organizimit të këtij tubimi ishte kundërpërgjigja ndaj protestave të opozitës. Koncerti festiv i kësaj partie, që u mbajt në sheshin "Nënë Tereza" edhe pse mblodhi simpatizantë të Partisë Demokratike si dhe punonjës të administratës, nuk kishte aspak përmasat e asaj që patën deklaruar së në shesh do të ishte dyfishi i protestuesve të PS-së e aq më shumë nuk i ngjante as mitingut të organizuar me 8 Dhjetor në Sheshin "Skënderbej. Gjithçka ka filluar ftohtë dhe pa nuancat e asaj që ata e konsideronin festë. Deri në orën 11:45 të mesditës sheshi "Nënë Tereza" ka qenë thuajse bosh, ndërsa turma (shumica punonjës të administratës) i është drejtuar sheshit vetëm kur u shpërndanë protestuesit e opozitës, të cilët sapo kishin përfunduar një tjetër tubim bashkë me zyrtarët e lartë të PS-së përballë kryeministrisë. Krejt papritur u shfaq edhe vetë kryeministri Sali Berisha, i cili pranoi të përshëndeste festën vetëm pas mbushjes se sheshit, që sigurisht nuk i ngjante përmasave që zyrtarët demokratë prisnin. Edhe pse në anën tjetër të sheshit kryetari i opozitës po vizitonte grevistët, lideri i së djathtës e mbështeti fjalimin e tij mbi progresin që sipas tij, Shqipëria kishte bërë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian dhe procesit të liberalizimit të vizave. Kundrejt kauzës kryesore të opozitës, Berisha nuk ngurroi të theksojë se i gjithë zhvillimi i Shqipërisë deri në këtë stad është rezultat i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. "Shqipëria këtë vit është Shqipëria anëtare e NATO-s. Është Shqipëria e vendimeve historike për çdo qytetar shqiptar, vendimeve për të çelur portat për këtë vend dhe për këtë komb drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, vendimeve për të lëvizur të lirë, pa viza. Të gjitha këto i bënë të mundur djersa, mundi, përkushtimi juaj. I bëri të mundur vota juaj e lirë. I bëri të mundur fryma juaj qytetare, besimi juaj i pathyeshëm se Shqipëria do të behët një ditë zonjë, ashtu siç e duam të gjithë ne", - tha dje Berisha. Përveç kreut të Partisë Demokratike, pjesë e manifestimit u bënë edhe eksponentë të tjerë të kësaj partie si nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, sekretari i përgjithshëm, Ridvan Bode, ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, Genc Ruli, si dhe ministri i Kulturës ,Ferdinand Xhaferri, të cilët ndryshe nga herët e tjera, nuk janë ngjitur në podium. Koncerti zgjati rreth 60 minuta, pasi "festuesit" kanë nisur të largohen qysh më herët, ende pa u larguar nga sheshi edhe vetë kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›