Shkresat zëvendësohen me dokumente elektronike
Shqipëria në moshën e internetit. Administrata dhe institucionet do të komunikojnë vetëm me postë elektronike
Ligji, dokumenti elektronik ka të njëjtën vlerë ligjore me dokumentin shkresor
Kohës së dokumenteve të printuara në letër duket së në Shqipëri po i vjen fundi, dhe ky fund është shumë afër për dy arsye. Për shkak të projektit të qeverisë "Shqipëria në moshën e internetit" dhe së fundmi me miratimin e ligjit "Për dokumentin elektronik". Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, e ka cilësuar këtë ligj si nisjen e një epoke të re në historinë e shkrimit. Por çfarë do të ndodhë realisht në administratën dhe institucionet e tjera shtetërore me miratimin e këtij ligji. Fillimisht nëpër zyra nuk do të shihen më ato raftet e tejmbushura me dosje, deri në kulm. Këto do të zëvendësohen me rafte dhe dosje virtuale ku informacioni dhe shkresat do të ruhen pa zënë ndonjë hapësirë të madhe fizike. Ligji i ri përcakton se "dokumenti shkresor, dërgohet, merret, mbahet dhe ruhet, duke zbatuar teknologjitë e informacionit nëpërmjet kompjuterëve, sistemeve kompjuterike, pajisjeve të ngjashme dhe programeve, duke mbartur nënshkrim elektronik të kualifikuar dhe se pranimi i përdorimit dhe i qarkullimit të tij realizohet me vullnet të deklaruar". Një procedurë e tillë nuk është e panjohur, pasi aktualisht shumë institucione apo kompani private përdorin një mënyrë të tillë komunikimi dhe dokumentimi, por ligji i ri vetëm sa ka zyrtarizuar një funksionim të tillë të punëve të institucioneve. Kështu dokumenti elektronik në bazë të rregullave të ligjit tashmë është një dokument zyrtar, i njohur e i përdorshëm nga administrata publike, gjykatat, noteritë, dhe nga sektori privat. Shembullin e parë në këtë drejtin e ka dhenë vetë kryeministri Sali Berisha, i cili që në mbledhjen e parë të kabinetit, pas zgjedhjeve të qershorit 2009, vendosi që të aplikonte projektin E-kabinet, në këtë mënyrë Ministritë dhe institucionet nuk dërgojnë më shkresa në kabinetin e ministrave, por gjithçka e dërgojnë në formë elektronike përmes një sistemi të siguruar.
Përdorimi
Dokumentin elektronik mund ta përdorë kushdo, për të gjitha veprimet juridike që dëshiron të kryejë, pasi ky dokument ka të njëjtën vlerë ligjore me dokumentin shkresor, në ato raste kur ai krijohet, dërgohet, merret, mbahet dhe ruhet, duke zbatuar teknologjitë e informacionit nëpërmjet kompjuterëve, apo sistemeve kompjuterike. Përjashtime ka vetëm në ato raste kur në legjislacionin në fuqi kërkohet shprehimisht përdorimi i dokumentit shkresor. E thënë ndryshe për veprime të vçanta ligji parashikon vetëm përdorimin e dokumentit shkresor. Në ligj, gjithashtu janë përcaktuar edhe kriteret që dokumenti elektronik duhet të përmbushë gjatë ciklit të dokumentimit, si p.sh., struktura, forma e paraqitjes, origjinali apo kopja në letër, fuqia ligjore, si dhe përdorimi i dokumentit elektronik si mjet prove. Ligji parashikon ndër të tjera dispozita të vçanta që lidhen me informacionin e klasifikuar, në të cilët përcaktohet dokumenti elektronik që përmban të dhëna konfidenciale, verifikimi i pajisjes për përdorimin e tij me përmbajtje konfidenciale në autoritetet publike, certifikimi i sistemit për përdorimin e këtij dokumenti që përmban informacion të klasifikuar në autoritetet publike.
Ligje të tjerë të miratuar në fushën e informacionit
• Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale hartuar në përputhje me direktivën Dir. 95/46/EC. (Ligji Nr. 9887, datë 10.03.2008, "Për mbrojtjen e të dhënave personale")
• Ligji Nr. 9880, datë 25. 02. 2008, "Për nënshkrimin elektronik" hartuar në përputhje me eksperiencat e BE (Direktiva 99/93/EC);
• Amendimet e Kodit Penal me ligjin nr. 9859 dt. 21.1.2008 dhe me ligjin nr. 10023 dt. 27.11.2008 bën të mundur reflektimin e plotë të kërkesave të Konventës për Krimin Kibernetik.
• Ligji i ri "Për komunikimet elektronike" u miratua më 19 maj 2008 nga Kuvendi. Ky ligj është hartuar në përputhje me direktivat e BE (paketa e vitit 2002).