E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, protestë çdo ditë. Rama: Kauza nuk ndalet

TIRANË - Nuk ka kthim pas për Partinë Socialiste kur bëhet fjalë për transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Përpos kërcënimeve të policisë për zhbllokim të sheshit përballë kryeministrisë, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar mbrëmë vonë një takim më deputetët e Tiranës ku është përcaktuar strategjia që PS-ja do të ndjekë ditët në vijim. Burime nga takimi deklaruan mbrëmë për gazetën se opozita do të protestojë çdo ditë në orën 18.00 përballë kryeministrisë, ndërkohe që 20 deputetët, (Balla dhe Malaj ndërprenë grevën) dhe 180
përkrahësit e grevës së urisë do të vijojnë të ngujohen deri në realizimin e transparencës. Opozita në grevë Tirana vijon të mbetet kryeqyteti i paradokseve të mëdha. Ndërsa në sheshin "Nënë Tereza" qeveria festonte 1 majin dhe arritjet e saj, vetëm 200 metra larg opozita vijonte
ngujimin e saj në grevë urie në kërkim të transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Kështu, mbi 20 deputetë socialistë, kryetari i G99, Erion Veliaj, (i cili u fut dje pasdite) dhe rreth 180 mbështetës të tjerë kanë vijuar dje ditën e parë privimit nga ngrënia në formën më ekstreme të protestës për veshin e shurdhër që bënë qeveria ndaj kërkesës së tyre për hapjen e kutive. Që nga dita e parë grevistët kanë nisur të shfaqin problemet e para shëndetësore, ndërsa janë monitoruar nga afër nga një ekip mjekësor i atashuar në çadrat ku dhe po kryhet kjo grevë. Në të njëjtën kohë, kur shumica qeverisëse festonte me këngë e hare 1 majin, kreu i opozitës Edi Rama ka vizituar çadrat e grevistëve të urisë, ku jo vetëm është interesuar nga afër për shëndetin e tyre, por dhe u ka dhënë kurajë për të çuar deri në fund sakrificën e tyre. "Unë jam shumë krenar dhe jo vetëm mirënjohës, por edhe admirues për gjithë këta njerëz deputetë dhe qytetarë, të cilat kanë
ndërmarrë këtë veprim, duke mishëruar një kërkesë të një populli të tërë dhe një aspiratë po të një populli të tërë", - tha Rama, duke bashkëbiseduar me të vetëflijuarit. Ndërsa duke folur për mediat në hyrje të vendstrehimit të improvizuar të grevistëve, kryetari i Partisë Socialiste ka falënderuar publikisht deputetët dhe qytetarët, që pranuan vullnetarisht të ngujohen, duke cilësuar këtë si një akt sublim në shërbim të së mirës së vendit dhe të ardhmes së tij europiane. "Dua të shpreh respektin më të thellë deputetëve, qytetarëve dhe qytetareve që e përshkallëzuan
rezistencën tonë paqësore përmes institucionit të saj më sublim që është greva e urisë. Kjo është një kauzë, e cila e vlen këtë akt sakrificë, dhe ky akt sakrifice do të jetë shembulli i shkëlqyer i vetëdijes qytetare dhe i shpirtit demokratik të kësaj proteste", - tha Rama, duke
theksuar se kjo do të jetë një grevë urie e vërtetë, transparente e çuar përpara me fuqinë e besimit te kauza dhe pa asnjë thyerje të etikës së saj. Gjithashtu, ai ka siguruar se greva nuk do të ndalet dhe se PS-ja është e gatshme për ta vazhduar zinxhirin e sakrificës edhe me
mjete të tjera. "Do të jetë një grevë urie që jo më kot zhvillohet në këtë pozicion, si një pozicion që jo thjesht mishëron simbolikisht një ballafaqim mes popullit në rrugë dhe qeverisë të mbyllur në kuti, por edhe që garanton transparencë të plotë për të gjithë që do të kenë mundësi ta shohin me sytë e tyre, se rruga e sakrificës që ne kemi zgjedhur si e vetmja rrugë që na ka mbetur, por ama si rruga më e fortë dhe rruga më fisnike për të realizuar një qëllim kombëtar, eshtë absolutisht një shprehje e një vetëdije qytetare dhe e një shpirti demokratik në gatishmërinë për të qenë të gjithë bashkë dhe për ta përshkallëzuar këtë rezistencë paqësore me çdo çmim, duke garantuar një vizion plotësisht të qytetëruar, plotësisht demokratik, plotësisht konstruktiv dhe larg të gjitha shëmbëlltyrave të shprehjeve destruktive të një kërkese kaq elementare, kaq legjitime", - u shpreh Rama, ndërsa në sfond dëgjohej muzika e këngës
"Shqipëria po ndryshon" që vinte nga sheshi "Nënë Tereza", ku demokratët zhvillonin "festën" e tyre. Kreu socialist ka ripërsëritur edhe një herë kërkesën e grevistëve dhe gjithë opozitës, që ka të bëjë pikërisht me transparencën e zgjedhjeve si mënyra e vetme për të rivendosur demokracinë. Rama ka bërë të ditur gjithashtu edhe strategjinë që do të ndjekë opozita në vijim të kësaj përpjekje për të rivendosur institucionin e votës, duke theksuar se të gjithë protestuesit do të vazhdojnë të protestojnë dhe të përshkallëzojmë të gjithë së bashku rezistencën paqësore,
duke e shtrirë barrikadën njerëzore në të gjithë vendin. Rama është shprehur se çdo qytet do të thirret në protestë, e çdo qytetar është i mirëpritur në çdo organizimin, të vogël apo të madh, në qytetin e tij apo në Tiranë. Këtë itinerar kryetari i opozitës e ka ndjekur edhe gjatë pasdites, i cili ka vizituar nga afër grevistët, duke i interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›