Antiterrori shoqëron dy imamët e Medresesë

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Selim Muça
Imami i Xhamisë së Medresesë, Lulzim Plloçi, i shkarkuar nga detyra që prej muajit shkurt dhe kreu i shoqatës “Ardhmëria”, e cila financohet nga Arabia Saudite, Ferid Piku, janë shoqëruar nga Antiterrori i Policisë së Tiranës pasditen e djeshme.
Dy personat janë mbajtur disa orë duke u marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pas një denoncimi që ishte bërë ndaj tyre nga kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Selim Muça. Policia tha se pas shoqërimit të dy personave është vendosur që ata të procedohen penalisht në gjendje të lirë. Sipas burimeve nga Policia, imami Lulzim Plloçi dhe Ferid Piku ishin denoncuar nga Selim Muça, i cili i ka akuzuar ata si anëtarë të krahut ekstremist radikal, që kishin “pushtuar” Xhaminë e Medresesë në Tiranë. Kjo akuzë është hedhur poshtë nga dy imamët, gjatë seancës së marrjes në pyetje nga oficerët e Antiterrorit. Kreu i KMSH, Selim Muça, ka deklaruar në Zyrat e Seksionit Kundër Akteve Terroriste se, pavarësisht shkarkimit të Plloçit nga detyra e imamit të Medresesë, ai vazhdon të qëndrojë sërish në këtë Xhami, duke mos lejuar imamin e emëruar nga Komuniteti që prej muajit shkurt, Lauren Luli, që të drejtojë faljen e besimtarëve. Nga ana tjetër, ish-imami i kësaj Xhamie pretendon se as besimtarët myslimanë nuk kanë qenë dakord me emërimin e imamit të Korçës, Luli, në Medrese, madje herë pas herë nuk kanë dashur që ai të drejtojë faljet e tyre. Selim Muça në polici ka treguar se Xhamia e Medresesë po mbahet e pushtuar pa të drejtë nga Lulzim Plloçi, të cilit i ka dalë në krah dhe e mbështet edhe kreu i shoqatës “Ardhmëria”, Ferid Luli. Policia sqaroi se arsyeja pse kallëzimi është kryer tek zyrat e Antiterrorit, ka qenë zgjedhje e kreut të Komunitetit Mysliman, i cili pretendon se të dy imamët janë radikalë ekstremistë.
KONFLIKTI
Konflikti mes imamit Lulzim Plloçi dhe kreut të Komunitetit Mysliman, Selim Muça, ka nisur që prej muajit shkurt të këtij viti. Në këtë kohë, Plloçit iu komunikua lirimi nga detyra. Vendim u bë i ditur gjatë procesit të faljes, kur në Xhaminë e Medresesë ndodheshin më shumë se 300 besimtarë, që sipas tij edhe ata nuk e mirëpritën këtë vendim, pasi ishte pa motivim. Plloçi shprehu pakënaqësinë e tij në prezencë të besimtarëve, duke e quajtur si arbitrar vendimin për shkarkimin e tij. Pavarësisht revoltimit apo edhe pakënaqësisë së imamit Plloçi, që u mbështet edhe nga kreu i shoqatës “Ardhmëria”, Ferid Luli, kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë kishte marrë një vendim unanim për të cilin kërkoi zbatim. Pikërisht për mosrespektimin e këtij vendimi, të quajtur si pushtim të Xhamisë së Medresesë, kreu i KMSH, Muça, iu drejtua oficerëve të Antiterrorit, të cilët tashmë kanë nisur procedim penal ndaj dy imamëve.
ETLEVA DELIA