E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarku, mbledhje me 2 kryetarë

Vangjel Ndreko dhe Artur Shehu

Mbledhja e Këshillit të Qarkut të Fierit është zhvilluar dje paralelisht në dy salla me dy kryetarë, duke e thelluar edhe më shumë përçarjen e këtij institucioni.
Pas seancave gjyqësore për postin e kryetarit të qarkut, të dy pretendentët, Artur Shehu i PD-së dhe Vangjel Ndreko i PS-së, mblodhën Këshillin. Mbledhja e këshilltarëve me kryetar Shehun filloi rreth 90 minuta me vonesë. Kjo pasi nuk po plotësohej kuorumi i nevojshëm prej 49 këshilltarësh, nga 96 që ka gjithsej qarku i Fierit. Në mbledhjen e të djathtëve, e cila u mbajt në ambientet e hotel “Fierit”, ishte i pranishëm edhe prefekti i ri, Robert Bitri. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave. Të djathtët pretenduan se ishte plotësuar kuorumi i nevojshëm për ta cilësuar të ligjshme, madje ata pretendojnë se veç 49 këshilltarëve që ishin dje në sallë, kanë edhe 7 anëtarë të tjerë të cilët janë ende në proces gjyqësor pas konstituimeve të kryera, për të cilat nuk bien dakord me të majtët. Paralelisht, me praninë e deputetëve të PS-së dhe prezencës së OSBE-së, në ambientet e Bashkisë u zhvillua mbledhja tjetër e Këshillit të Qarkut, nën drejtimin e Vangjel Ndrekos, ku merrnin pjesë 55 këshilltarë. Pasi u rikonfirmuan mandatet, u kalua në zgjedhjen e nënkryetarit të Këshillit dhe të sekretarit të Këshillit të Qarkut. Me votim të fshehtë rezultuan fitues Eduart Xhafa si nënkryetar dhe Qerim Ismaili si sekretar. Ndërkohë në mbledhjen e të majtëve u miratuan dy vendime të cilësuara si shumë të rëndësishme, siç ishte rezoluta e Këshillit të Qarkut për të shpallur si të pavlefshëm çdo këshilltar të zgjedhur nga të djathtët, pas konstituimit të parë të Këshillit të Qarkut, si dhe shpalljen po ashtu të pavlefshme të mbledhjes së të djathtëve më 19 nëntor 2011. Vendimi tjetër i miratuar ishte rikonfirmimi i strukturave drejtuese, siç ishin kryetari i Këshillit të Qarkut, nënkryetari, kryesia dhe sekretari. Mbledhja nisi në orarin e parashikuar, 09:00, dhe të pranishëm ishin deputetet Arjon Muçaj, Bashkim Fino, Ervin Koçi, Albert Caci, Armando Subashi e Piro Lutaj. Ajo që u vu re në të dyja mbledhjet paralele, ishte leximi dhe interpretimi i një sërë vendimesh në betejat gjyqësore, ku të dy kryetarët pretenduan se kishin fituar të drejtën dhe legjitimuan vetveten. Në mbledhjen e të djathtëve, pas procedurës së interpretimit të vendimeve, u miratua me shumicë edhe projekt-buxheti i vitit 2012 për Këshillin.

Institucioni
Gjithë “lufta” mes të djathtëve dhe të majtëve për zotërimin e qarkut prej disa muajsh po mban peng aktivitetin administrativ të njësive vendore të përfshira në procesin e rikonstituimeve të kryera nga demokratët. Kjo nisi pas rezultatit përfundimtar nga KQZ-ja të zgjedhjeve të 8 majit. Fillimisht u zgjodh kandidati i PS-së, Vangjel Ndreko, por të djathtët, më 19 shtator 2011 e rrëzuan, duke shpallur si kryetar Artur Shehun e PD-së.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›