Mashtroi adoleshenten, pranga fallxhores në Tiranë
Një grua 49-vjeçare nga Fushë-Kruja e vetëshpallur fallxhore u arrestua dje në Tiranë, pasi u denoncua nga një vajzë 16-vjeçare për akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit.
Sipas Policisë, ajo dyshohet të ketë vjedhur para e bizhuteri floriri në shtëpitë e disa grave në zona të ndryshme të kryeqytetit, të cilave u shihte dorën dhe filxhanin. Nanije Muhaxhiri, anëtare e komunitetit rom, nënë e shtatë fëmijëve, është vënë në pranga mëngjesin e djeshëm në afërsi të Zogut të Zi në Tiranë, kur po tentonte të udhëtonte drejt shtëpisë me furgonat e linjës së Fushë-Krujës. Pasditen e së hënës, ajo ishte denoncuar në Komisariatin Nr.1 nga një vajzë 16-vjeçare nga Shkoza e kryeqytetit, Migena L., së cilës i kishte vjedhur një palë vathë floriri. Adoleshentja, e cila ka qenë duke shkuar në shtëpi dhe sapo kishte zbritur nga urbani i Uzinës së Autotraktorëve, është ndaluar në rrugë nga tri gra rome, të cilat e kanë kapur nga krahu duke e detyruar të ndalonte për të biseduar me to. Tri gratë rome më futën në mes dhe po më premtonin se do me ecte mbarë, duke këmbëngulur që tu tregoja dorën. Fillimisht nuk po pranoja, por nuk e di se si më hipnotizuan vetëm në pak sekonda. Kur ato ishin larguar, pashë që më kishin vjedhur vathët e floririt që kisha në vesh, ka denoncuar në Komisariatin Nr.1 Migena L.
FALLXHORJA
Menjëherë pasi 16-vjeçarja Migena L. ka bërë kallëzim në Komisariatin Nr.1, policia ka kuptuar që bëhej fjalë për të njëjtat gra që ishin denoncuar edhe në katër raste të tjera, dy vjedhje në Shkozë dhe dy të tjera në Kamzë. Por të dhënat e vetme që dispononte policia, ishin fakti që gratë ishin të banore të komunitetit rom dhe vinin nga Fushë-Kruja. Për këtë arsye, policia bashkë me adoleshenten e dëmtuar dhe prindërit e saj kanë shkuar tek Zogu i Zi, duke qëndruar përballë vendit ku qëndrojnë furgonat e Fushë-Krujës, pasi vajza pretendonte se, në rast se i shihte, do i njihte menjëherë gratë që e kishin vjedhur. Sapo i ka parë duke hipur në automjetin, me të cilin do udhëtonin drejt shtëpive, vajza menjëherë i ka njohur dhe policia ka ndërhyrë duke i shoqëruar për në Komisariat. Pasi janë marrë në pyetje për disa orë, vetëm Nanije Muhaxhiri ka pranuar që hedh fall, duke shfajësuar në këtë mënyrë mikeshat e saj me të njëjtin profesion. Por nga ana tjetër, fallxhorja nuk ka pranuar se ka vjedhur para apo sende me vlerë, ashtu siç akuzohej. Është e vërtetë që unë hedh fall, shoh filxhan dhe dorën, por nuk kam vjedhur asgjë. Vajzën e ndalova në rrugë dhe ajo më kërkoi ti shihja dorën dhe të zbuloja nëse i dashuri e tradhtonte apo jo. Pasi e pashë në dorën e saj që ai e tradhtonte, i thashë që duhej të më jepte një objekt që ajo e mbante në trup, në mënyrë që unë ti bëja magji dhe ai të mos e tradhtonte më. Për këtë arsye, ajo më dha vëthët, por jo se ia vodha unë. Ajo mi dha vetë, është shprehur gjatë deklarimeve në polici 49-vjeçarja. Megjithatë, argumentimi i saj nuk ka qenë bindës as për prokurorin, i cili pasi është njohur me rastin, ka vendosur arrestimin e Nanije Muhaxhit, me akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit.
GRATE E MASHTRUARA
Veç denoncimit më të fundit të vajzës 16-vjeçare, që çoi edhe në arrestimin e fallxhores Nanije Muhaxhini, Policia e Tiranës kishte regjistruar më parë edhe katër denoncime të tjera, dy në Komisariatin Nr.1 dhe 2 të tjera në Komisariatin Nr.5 në Kamzë, nga 4 gra që ishin vjedhur në shtëpi prej tri fallxhoreve rome, por më pas kishin tërhequr denoncimin, në mënyrë që ngjarjet të mos merreshin vesh nga bashkëshortët e tyre. Por të dëmtuarit, dy gra nga Shkoza dhe dy nga Kamza, kishin sqaruar në polici mënyrën e vjedhjeve. Sipas tyre, fallxhoret u trokisnin në dyert e shtëpive duke u premtuar se nëpërmjet filxhanit dhe dorës u zgjidhnin problemet. Në kohën që njëra prej grave rome shikonte filxhanin ose dorën, dy të tjerat lëviznin nëpër shtëpi duke vjedhur ndonjë objekt me vlerë apo shuma parash.
ETLEVA DELIA