E Diel, 1 Nëntor 2026

Erblira Bici udhëheq në Itali/ Volejbollistja shqiptare me një fillim të madh të sezonit

Udhëtimi i përsosur po vazhdon. Askush nuk e kishte menduar që Megaboks Valefolia, një emër modest I volejbollit italian, do të mbante ritmin e skuadrave më të forta të Apenineve, si Koneliano apo Milano.

Gjithsesi, kjo ka ndodhur dhe ekipi ku luan ylli i rrjetës kuqezi, Erblira Bici, ka 4 fitore në 4 ndeshjet e para deri tani në Ligën e Volejbollit të femra Seria A.

Suksesi I fundit ishte 3-0 në shtëpi ndaj Granda Volej Kuneos, që bëri një rezistencë të fortë, por nuk fitoi dot asnjë set.

Rezultati ishte 25-22, 25-17 dhe 31-29.

Bici ishte sërish njëra nga më të mirat në parket, edhe pse disa herë sulmet e saj u ndalën nga blloku kundërshtar.

Në total, volejbollistja e kombëtares shqiptare shënoi 13 pikë, më pak sesa mesatarja e saj, por gjithsesi kaq mjaftoi që të ishte e dyta më e mirë tek Valefolia, pas zbulimit të sezonit, Alesia Bolconeti që realizoi 16 pikë.

Tek Kuneo, më e mira ishte sllovenia Masa Pucelj me 17 pikë.

Gjithsesi, Bici ka 70 pikë në 4 javë të Serisë A, 4 pikë më pak se Bolconeti, dhe jo larg vendeve të para që mbahen nga ylli I Italisë, Egonu, dhe kanadezja Van Rajk.

Këtë mesjavë, shqiptarja dhe shoqet e saj do të kenë një përballje thuajse të pamundur ndaj kampiones së Italisë dhe nënkampiones së Europës, Konelianos. Ku i dihet, ndoshta edhe mund t’ia dalin./abcnews.al

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›