Antoni Blinken prek tokën shqiptare, pritet nga Igli Hasani dhe Yuri Kim

Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken (Antony), ka shkelur tokën shqiptare. Pak minuta më parë, avioni me të cilin ai udhëtonte ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, nën masa të rrepta sigurie.
Sekretari i Shtetit është pritur në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, dhe nga ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e cila aktualisht mban pozicionin e kryezëvendësasistentes së Sekretarit amerikan për Europën dhe Eurazinë.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, vizitë e cila parashikohet të zgjasë 8 orë, shefi i diplomacisë amerikane do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, i cili pritet të kthehet pas pak nga Brukseli.
Dy marrëveshje që kanë të bëjnë me programin e shkëmbimit akademik “Fullbright”, si dhe memorandumi i bashkëpunimit për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, do të nënshkruhen sot.
Në vizitën e tij të parë në Tiranë, Blinkeni do të takohet gjithashtu edhe me stafin e familjarët e tyre në ambasadën e SHBA-së, si dhe me emigrantët afganë të strehuar në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama i ka uruar mirëseardhjen Sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken (Antony). Rama ka publikuar një video në Facebook nga momenti i mbërritjes Sekretarit amerikan të Shtetit në aeroportin e Rinasit dhe kur pritet nga ministri Igli Hasani dhe zyrtarë të tjerë.
“Mirësevjen në Shqipëri Sekretari Blinken”, shkruan kryeministri Edi Rama.
/rtsh.al/