E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet riatdhesimi i marinarëve nga Libia

Fluturimi i premtuar, mashtrim. Kapiteni njoftohet se do të ikin kur të zëvendësohet stafi

Mashtrohen përsëri marinarët e anijes “Brustel”. Premtimi i pronarit Alban Tepshi, se pesë anëtarë të ekuipazhit do të fluturonin dje në mbrëmje nga Tripoli për në Tiranë, nuk është mbajtur.
Kapiteni i anijes, Armando Ulqinaku, konfirmoi dje se ishte informuar për anulimin e udhëtimit të tij dhe katër anëtarëve të tjerë të ekuipazhit. Ulqinaku është njoftuar për anulimin nga agjencia portale libiane, që ka marrë përsipër shërbimet për anijen “Brustel”. Agjenti i ka thënë kapitenit se riatdhesimi do të bëhet vetëm kur të bëhet i mundur zëvendësimi i ekuipazhit të anijes me marinarë të tjerë, gjë që thuhet se do të zgjidhet brenda një jave.

Në këtë mënyrë, marinarët e bllokuar që nga 3 marsi i këtij viti në portin libian të Misuratës, do të duhet të qëndrojnë në anije të paktën edhe një javë.

Dritan Muka, kunati i kapitenit të anijes “Brustel”, tha dje se ka humbur çdo shpresë se autoritetet shqiptare do ta zgjidhin situatën. “Tani më mbetet të shkoj vetë në çdo ministri dhe të marr konfirmimin se ata nuk bëjnë dot gjë. Pastaj të shkoj e të merrem vetë me pronarin e anijes dhe ta detyroj të paguajë për riatdhesimin e kunatit tim dhe të tjerëve. Nëse autoritetet nuk veprojnë, kjo do të jetë zgjidhja”, tha i revoltuar Dritan Muka, i cili për rreth gjashtë muaj i ka dërguar para kunatit të tij në çdo port që ai shkonte, pasi pronari i anijes nuk ia paguante rrogën dhe nuk i siguronte furnizime për një jetesë normale.

Dritan Muka thotë gjithashtu se premtimi për fluturimin e mbrëmjes së djeshme kishte qenë një mashtrim që një fillim, një manovër e pronarit për të fituar kohë. “Agjenti libian e njoftoi Armandon që të bëhej gati për një fluturim nga aeroporti i Tripolit në orën 19:30 të së enjtes. Por në të vërtetë, në këtë orë nuk kishte asnjë fluturim nga ky aeroport. Gjithçka ishte një sajesë, një manovër për të fituar kohë”, tha Dritan Muka, i cili mbante shpresë se çështja do të zgjidhej me ndërhyrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Tashmë asgjë nuk është më e sigurt për riatdhesimin e marinarëve shqiptarë të bllokuar në Libi. Anija me 14 marinarë u nis nga Durrësi më 1 qershor të vitit 2009 dhe pas një udhëtimi të gjatë e plot peripeci nëpër detin Mesdhe u bllokua më 3 mars të këtij viti në portin libian të Misuratës. Aktualisht në anije qëndrojnë 11 marinarë, pasi tre të tjerë kanë arritur të kthehen në Shqipëri. Autoritetet portuale të Libisë nuk lejojnë nisjen e anijes për lundrim, pasi certifikatat e saj të sigurisë janë të skaduara dhe duhen rinovuar. Për këtë arsye anija është arrestuar bashkë me ekuipazhin që duhet të marrë leje për çdo zbritje në tokë. Pesë nga anëtarët e ekuipazhit nuk kanë marrë rrogat që nga muaji tetor i vitit 2009 dhe kanë kërkuar me ngulm riatdhesimin. Edhe dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit kanë kërkuar riatdhesimin ditët e fundit, ndërsa sipas kapitenit Armando Ulqinaku, edhe katër marinarët e tjerë duan të riatdhesohen, por nuk kanë këmbëngulur, për sa kohë nuk kanë pasur probleme me pagesën e rrogave.

Në fund të muajit mars 2010, gazeta “Shqip” ngriti shqetësimin për kushtet e vështira në të cilat ndodhen marinarët e anijes “Brustel” dhe pas kësaj u vu në lëvizje edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Por edhe me këtë ndërhyrje, çështja mbetet e pazgjidhur dhe gazeta do të vazhdojë ta ndjekë problemin deri sa pronari i anijes apo autoritetet shtetërore shqiptare të mundësojnë kthimin pranë familjeve të 11 qytetarëve të këtij vendi, të braktisur në Portin e Misuratas në Libi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›