E Shtunë, 31 Tetor 2026

Speciale 1/Saimir Tahiri sekuestron shtëpinë e Riza Rexhepit, në lagjen “Kombinat”

Afrimi i zgjedhjeve vendore po detyron kalecët e Edi Ramës që të përshpejtojnë marrjen e sekserizmave të fundit nga punët e pista të bashkisë së Tiranës. Kjo skadencë po e detyron edhe Saimir Tahirin që të dalë publikisht rrugëve të njësisë bashkiake nr. 6 në Tiranë e të deklarojë se tashmë kishte ardhur koha për sekuestrimin e banesës së Riza Rexhepit, pasi ajo po i prishte punë.
Arroganca po shoqërohet prej më shumë se 8 muajsh edhe me kërcënime verbale se së shpejti, përveç Saimir Tahirit, i cili s’e ka pasur për gjë që t’u shkojë edhe vetë tek dera familjes Rexhepi e t’i kërcënojë se “tashmë shtëpia juaj nuk ekziston” e “bëni mirë të mendoni për një strehim tjetër”.
Për Saimir Tahirin nuk është e rëndësishme pasja e dokumenteve, as aplikimi i familjes “Rexhepi” prej legalizim, prej më shumë se 4 vjetësh tashmë. Interesi i deputetit Tahiri, i cili luan ditën për diell “lacin e kryeqytetit” nuk është tek dokumentet, por tek nevoja urgjente për të prishur banesën e Riza Rexhepit, pasi vetëm kështu, projekti i ndërtimit të një kanali të ri për kolektorin e zonës, do të sillte edhe përqindjen e duhur në xhepat e duhur të politikëbërësve të bashkisë së Tiranës.
Analiza e dokumentacionit, të cilën gazeta “55” e nis sot e do ta vijojë edhe më tej, tregon se përtej kërkesës së Saimir Tahirit për të prishur pa paralajmërim e pa shpronësim banesën e Riza Rexhepit, fshihet një synim i mirëfilltë korruptiv, që zë fill në lagjen Kombinat të kryeqytetit, por që shkon deri tek kreu i institucionit të bashkisë së Tiranës. Njësia bashkiake nr. 6 s’ka asnjë dijeni për projektin e ri të bashkisë së kryeqytetit, e cila sipas një vendimi të kaluar dorazi dhe me një pikëpyetje të vërtetë autenticiteti, të datës 30 dhjetor 2009 ka vendosur prishjen e banesës së Riza Rexhepit, pa paralajmërim e pa shpërblim, pasi në truallin ku është ndërtuar ajo, sipas një projekti të bashkisë së Tiranës, kalon gjurma e kolektorit të ri që planifikohet të ndërtohet....
Shkeljet e procedurës janë të njëpasnjëshme. Nisin që nga përpjekjet e qëllimshme të njerëzve të Saimir Tahirit për të devijuar gjurmën e kanalit, pasi prej këtij ndryshimi, edhe investimi do të ishte më i ulët dhe në xhepat e sekserëve do të shkonin më shumë para, e deri tek angazhimi arbitrar i levave të bashkisë së Tiranës për të intimiduar familjen Rexhepi e për t’i detyruar ata që të bashkëpunojnë në shpronësimin e tyre dhe në jetësimin pa zhurmë të kësaj afere korruptive të bashkisë së Tiranës.
Aferën korruptive dhe interesimin e drejtpërdrejtë të Saimir Tahirit e konfirmojnë një sërë dokumentesh, duke nisur që nga aplikimi për legalizim tek ALUIZN-i dhe kapërcimi i tre fazave të para, duke vijuar më tej tek përgjigja zyrtare që sjell njësia bashkiake nr. 6 se banesa e familjes Rexhepi është e ndërtuar në territorin e komunës së Kasharit për të përfunduar tek analiza e projektit të zbatimit për “ndërtimin e kanalit në rrugën ‘Hazbi Serani’”, e cila evidenton përpjekjen e stërmundimshme të njerëzve të Saimir Tahirit për të ndryshuar gjurmën e projektit e për të fituar lekët e sekserizmës, paçka se prej kësaj sjelljeje e pëson familja “Rexhepi”.
(vijon nesër)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›