E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama mendoi për sheshin “Skënderbej”, vetëm pas deklaratës së kryeministrit Berisha

Ministri i Kulturës, Ferinand Xhaferri paralajmëron ndërhyrjen e ekzekutivit, në mënyrë që të ndalohet shkelja e ligjeve nga Bashkia e Tiranës

Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferri, u shpreh dje gjatë diskutimeve në seancën plenare, se Edi Rama ka nisur punimet në sheshin “Skënderbej”, në shkelje me ligjet në fuqi. Xhaferri tha se kryebashkiaku u kujtua për qendrën e Tiranës, pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha, për ndërhyrjen e menjëhershme në shesh.
“Edi Rama e kishte braktisur sheshin, por ai tani filloi të mendojë për të duke ardhur dhe kjo është pozitive. Por, Edi Rama, u kujtua për sheshin “Skënderbej”, pas deklaratës së kryeministrit Berisha”, tha Xhaferri.
Ministri i Kulturës deklaroi se synimi i qeverisë nuk është të pengojë punimet e Bashkisë, por të ndalojë atë në shkeljen e ligjeve.
“Edi Rama po shkel ligjet e miratuara nga ai vetë, kur ishte ministër i Kulturës. Në prill të vitit 2000 kur Edi Rama ishte ministër Kulture, ka kërkuar dhe aprovuar që çdo vendim i marrë nga Këshillat e Rregullimit të Territorit për ndërhyrje me ndërtime në zonat e shpallura Monument Kulture, do të ishte i pavlefshëm, ndërsa tani, në vitin 2010 kryetari i Bashkisë në kundërshtim me këtë VKM, po vepron në mënyrë të jashtëligjshme me sheshin “Skënderbej””, u shpreh ministri Xhaferri, duke shtuar se “i vetmi problem që kemi me të është që ai të vijë në shesh sipas ligjit, pasi të respektojë detyrimet që ka me Ministrinë e Mjedisit dhe me Ministrinë e Kulturës”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›