E Diel, 1 Nëntor 2026

Aparatet zëvendësojnë doganierët e BE-së nëpër aeroporte

Bashkimi Evropian planifikon që të huajve pa dosje policore t`iu krijojë lehtësira për hyrje më të lehtë në vendet e zonës së Shengenit. Duke qenë pjesë e kësaj zone, edhe Zvicra do të obligohej të angazhonte “doganierët elektronikë” në aeroportet e saj. BE planifikon një sistem elektronik të tillë që do t`iu mundësojë të huajve nga vendet e treta të hyjnë pa pasur nevojë të presin në rreshtat e gjatë para sporteleve.

Komisarja evropiane për politikë të brendshme, Cecilia Malmström ka prezantuar të enjten të ashtuquajturin “Refistered Traveller Programme (RTP). Ajo konsideron se rreth pesë milionë pasagjerë nga vendet e treta do të përfitojnë nga udhëtimi i lehtësuar, para së gjithash njerëzit afaristë, udhëtarët që vijnë për pak kohë, studentët si dhe familjarët e qytetarëve të BE-së, informon Albinfo.

Sipas Malmström, përpunimi më i shpejtë i të dhënave nuk është vetëm në interes të udhëtarëve. “Sipas vlerësimeve të bëra, gjatë vitit 2011 pasagjerët e huaj i kanë kontribuar ekonomisë sonë me 271 miliardë euro”, ka thënë komisarja evropiane. Në të njëjtën kohë kalimet ilegale të kufijve, ashtu si edhe tejkalimi i kohës së vizave janë vështirësuar.

Ngjashëm me praktikën e ndjekur në SHBA, udhëtarët e interesuar do të kalonin paraprakisht një kontroll të sigurisë para se të marrin statusin e “Registered Travellers”.

Zvicra si shtet i Shengenit ka marrë pjesë në bisedimet përgatitore në lidhje me programin dhe ka marrë pjesë në studimin e fizibilitetit, njofton Enti Federal për Migracion (BFM).

“Ende nuk dihet se kur do të futet në funksion programi Registered Traveller Programme”, ka thënë zëdhënësi i BFM, Jürg Walpn. Por ai ka theksuar se kur projekti të jetë konkretizuar, Zvicra do të bashkëveprojë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›