Në takimin e ardhshëm në Bruksel, edhe serbë nga Kosova?

Në takimin e ardhshëm në Bruksel, i cili është paraparë të mbahet të hënën ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij, Ivica Daçiq, ekziston mundësia që të marrë pjesë edhe një përfaqësues i Partisë së Pavarur Liberale që udhëhiqet nga Slobodan Petroviq.
Kështu deklaruan për RTK-në udhëheqës të partisë më të madhe serbe në Kosovë.
“Me siguri që në takimin e ardhshëm, i cili do të zhvillohet shumë shpejt, pjesëmarrës do të jetë edhe një përfaqësues nga SLS-ja”, ka thënë Nenad Rashiq.
“Besoj që në të ardhmen do të kemi një rol më aktiv në procesin e dialogut, me qëllim që të dalin zgjidhje sa më kualitative”, ka theksuar Slobodan Petroviq.
Duke folur për rrjedhën e dialogut, Petroviq theksoi se ky proces është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për ne, por edhe për gjeneratat e ardhshme. Ai tha se e përkrah fuqishëm krijimin e asociacionit të komunave serbe, meqë një gjë e tillë parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës.
“Gjithsesi se Asociacioni është i paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës. Çfarëdo qoftë ajo që do rezultojë si e arritur nga dialogu Prishtinë-Beograd, do të kontribuojë në lehtësimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Dhe ne patjetër se do t`i gëzohemi çdo marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë”, ka theksuar Slobodan Petroviq, zëvendëskryeministër i Kosovës.
E pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë të Kosovës në dialogun e ardhshëm Kosovë-Serbi në mënyrë të tërthortë e ka paralajmëruar edhe vetë Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.
“Është çasti vendimtar që të gjithë së bashku të jemi të unifikuar rreth asaj se çfarë kërkojmë”, ka thënë ai.
Takimi i ardhshëm Thaçi-Daçiq, me pjesëmarrje të mundshme edhe të një përfaqësuesi serb nga institucionet e Kosovës, pritet të mbahet më 4 mars.
E ky takim, si nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, ashtu edhe nga analistë vendorë, është vlerësuar si vendimtar për zgjidhjen e çështjes së veriut./Indeksonline/