E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apartamentet, Hipoteka zhbllokon kalimin e pronësisë

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Qeveria ka përcaktuar vetë, jo vetëm çmimin e shitjes, por edhe çmimin e blerjes së shumë apartamenteve, të cilat që nga ndërtimi i tyre nuk janë shitur asnjëherë, (domethënë, që e kanë kalimin e parë të pronësisë. Pavarësisht nga ky udhëzim, që përcakton çmime reference për shitblerjet hipoteka referon se nuk ka pasur probleme me kalimin e pronësisë së këtyre banesave, pas udhëzimit të muajit shkurt.
Zyrat e hipotekës
Që prej fillimi të muajit mars në zyrat vendore puna ka vijuar normalisht, në bazë të këtyre çmimeve të referencës. Sipas burimeve zyrtare të zyrës qendrore, ky udhëzim është në duar të të gjithë punonjësve që merren me procedurat e kalimit të pasurive dhe gjithashtu edhe të noterëve. Për këtë arsye nuk ka pasur ndonjë pezullim të këtyre procedurave, që prej muajit mars, pas miratimit të udhëzimit në datën 26 shkurt të këtij viti. Procedura normale në zyrat e Regjistrimit të Pasurive zgjat në bazë të ligjit, deri në 45 ditë. Udhëzimi përcakton çmimet minimale me të cilat duhet të shitet një apartament, sipas zonave të caktuara, qoftë në Tiranë, apo edhe në rrethe të tjera të vendit, si dhe procedura për komunat, apo çmimet për godina shërbimi, dyqane dhe zyra.
Udhëzimi
Udhëzimi është pjesë plotësuese e ligjit “Për tatimit mbi fitimin” dhe përcakton ndalimin e regjistrimit të pronës, në rast se çmimet e vendosur në aktin noterial janë më të ulëta se ato të përcaktuara nga referencat. Në zyrat vendore të hipotekës vazhdojnë procedurat normale të pajisjes me dokumentet e nevojshëm për regjistrimin e pronës. Në udhëzimin e Financave është parashikuar që në rastet kur shitja nuk është bërë me çmimet e referencës, atëherë problemi qëndron te noterët. “Ngarkohet Ministria e Drejtësisë që të informojë zyrat noteriale për respektimin e zbatimit të çmimeve fiskale të përcaktuara në shtojcën bashkëlidhur këtij udhëzimi. Mosrespektimi i këtyre çmimeve në kontratat e noterizuara të shitjeve të pasurisë së paluajtshme konsiderohen kundërvajtje administrative për zyrat e noterëve dhe penalizohen sipas ligjit në fuqi”, thuhet në udhëzim.
Firmat e ndërtimit
Shifrat e referencës tregojnë koston minimale fiskale dhe çmimin minimal fiskal në tabelën e udhëzimit të Ministrisë së Financave, ku parashikohen edhe fitimet e kompanive të ndërtimit. Diferenca mendohet të jetë fitimi dhe normalisht do të tatohet me 10 për qind, kështu që pavarësisht çmimit të vërtetë që mund të jetë më i lartë se sa referenca e Qeverisë, duhet të aplikohet vetëm çmimi minimal të lejueshëm. Kjo do të thotë që vendosja e referencave në ndërtim do ta mbajë në të njëjtin nivel çmimin e një metri katror të apartamenteve, pra në atë që ka vendosur Qeveria.
Ky lajm është publikuar: 24/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›