Apartamentet shqiptare dalin në shitje në Angli
Shqipëria mund të hyjë së shpejti në listën e vendeve mesdhetare të synuara nga investitorët britanikë. Një kompani ndërmjetësimi për prona të paluajtshme, me qendër në Londër dhe me zyra në Bullgari, Greqi e vende të tjera, ka filluar të reklamojë apartamente në Tiranë e në Shëngjin të disponueshme për investitorët anglezë. Kompania “Barrasford” thotë se çmimet e apartamenteve në Tiranë fillojnë nga 61 mijë euro për dhomë e kuzhinë, nga 76 mijë për dy dhoma e një kuzhinë e në 120 mijë euro për tre dhoma e një kuzhinë. Janë nxjerrë në shitje edhe apartamente në Shëngjin, me çmime që fillojnë nga 32 mijë sterlina.
Çmime të kripura
Çmimet e ofruara për investitorët anglezë duket se janë disi më të kripura sesa çmimet e disponueshme sot për shqiptarët. Një apartament në bregdet prej 100 metrash/katrorë ofrohet për 75 mijë euro, ndërsa apartamentet në periferi të Tiranës ofrohen për çmime mbi 1200 euro për metër/katror. Gjatë viteve të fundit, rënia e kërkesës së brendshme për apartamente kishte dhënë shpresa dhe shenja për një ftohje të çmimeve. Nëse investitorët e huaj mbërrijnë, shpresat për një gjë të tillë ulen.
Pse investojnë në Lindje
Në të gjitha vendet mesdhetare, investitorët perëndimorë blejnë apartamente rezidenciale pranë qyteteve të mëdha ose zonave turistike. Ofertat për apartamente në Kroaci, Bullgari, Greqi e vende të tjera, janë të zakonshme nëpër gazetat angleze. Blerësit janë zakonisht njerëz me karrierë të suksesshme që dëshirojnë të kalojnë moshën e pensionit në vende me standard jetese të ulët, ku pensionet e tyre i japin mundësi të bëjnë një jetë shumë komode. Para viteve ’90, për gjermanët dhe anglezët qe tipike jetesa në Spanjë, Egjipt e vende të tjera. Pas rënies së komunizmit, Bullgaria, Rumania e Kroacia u bënë vende të synuara. Në Hungari dhe Rumani, çmimet mbetën të ulëta për shumë vite, kryesisht për shkak se qeveritë e këtyre vendeve kishin vendosur kufizime ligjore për blerje të pronave nga të huajt. Heqja e kufizimeve ligjore në këtë fushë qe kusht për anëtarësim në BE. Gjatë viteve të fundit, bumi i blerjeve mbërriti në Mal të Zi, ndërsa duket se së shpejti mund të mbërrijë edhe në Shqipëri. Por shumë prej investitorëve, blejnë prona në vende të tilla edhe për të shmangur pagesa taksash në vendet përkatëse, shpesh duke fryrë vlerën e investimeve.
Pasojat
“Ata rusë të çmendur, janë të gatshëm të blejnë çdo gjë, kanë rritur çmimet dhe e kanë bërë të pamundur për malazezin e zakonshëm të blejë një apartament”. Ky qe komenti i një malazezi disa javë më parë. Në Podgoricë, çmimet e apartamenteve kanë mbërritur në 2 deri 4 mijë euro për metër/katror, kryesisht për shkak të valës së rusëve që blejnë prona të pavlera në këtë vend, për t’i deklaruar si investime jashtë vendit në Rusi. Parcela toke në shkëmb, në maja malesh apo vende krejtësisht të pavlera, rezultojnë me letra se janë shitur përkundrejt çmimeve marramendëse. Pasoja është që çmimet e pronave të paluajtshme rriten dhe popullata vendëse e ka gjithnjë e më të vështirë për të blerë një apartament apo një parcelë tokë për të ndërtuar.
Reklamë për Shqipërinë
Sipas kompanisë angleze, Shqipëria do të anëtarësohet në BE në vitin 2014. Investimet këtu premtojnë norma vjetore kthimi prej minimalisht 11%. Menaxheri i kompanisë thotë: “Ne jemi pionierët e tregut të pronave në Bullgari dhe themi se Shqipëria, si një nga vendet e fundit pseudo-europiane, do të sjellë fitime të jashtëzakonshme për investitorët. Ndërsa zgjedhja e apartamenteve në bregdet është e parapëlqyer për pushime, investimi në kryeqytet besohet se do të sjellë fitime më të mëdha”. Shqipëria reklamohet si një vend me diell deri në 350 ditë në vit. Dukshëm, vlerësimet janë tepër pozitive dhe deri diku mashtruese, veçanërisht premtimi për kthime deri në 11% në vit nga investimi. Agjenti reklamon si të shitura pjesën më të madhe të apartamenteve të listuara.