E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Meta të çlirohet nga ethet e karriges së pushtetit

 

Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak të qytetit të Fierit, ka nxjerrë zbuluar pazarin e ulët midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në këtë përfundim ka arritur Partia Socialist,e e cila duke iu referuar pikërisht kësaj ngjarjeje ka akuzuar LSI-në dhe kryetarin e saj, Ilir Meta, se ka tradhtuar interesat e elektoratit të majtë, i cili i ka votuar këshilltarët e kësaj force që të qeverisin në kuadër të koalicionit “Bashkë për të Ardhmen”. “Përsërisim përpara shqiptarëve se akti i bashkimit të grupimit të Ilir Metës me Partinë Demokratike në Fier, për karrigen e Drejtorit të Ujësjellësit, është shprehja më kuptimplotë e më e trishtuar e rrëshqitjes së Ilir Metës dhe të grupimit të tij në rrugën e vjetër të sakrifikimit të interesave të publikut, për hir të çfarëdo karrigeje. Ethet e karriges e kanë ripushtuar z.Meta dhe mllefi ka errësuar arsyen e tij. Në mëngjes ai sulmon Partinë Socialiste për reformat e domosdoshme në interes të të gjithë shqiptarëve dhe në darkë, bashkon votat me Partinë Demokratike për të marrë një karrige drejtori, duke rrëzuar kryetarin socialist të Këshillit Bashkiak, në një qytet që ka votuar koalicionin “Bashkë për të Ardhmen” e jo pazarin e karrigeve mes PD-së e Ilir Metës”,- u shpreh zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli. Pavarësisht kësaj ngjarjeje Partia Socialiste thekson se do të vazhdojë të respektojë kontratën e 18 shkurtit me qytetarët e nuk do t’i përdorë asgjëkundi votat e saj, për të cenuar koalicionin e votuar prej tyre. “Shpresojmë se Ilir Meta do çlirohet nga ethet e karrigeve e do kuptojë se mllefi ndaj Partisë Socialiste nuk është as filozofi, as argument e as mjet për të mbrojtur interesat e qytetarëve”, - tha Kodheli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›