Nafta, çmimi i ri, 154 lekë për litër
Që prej fillimit të vitit, çmimi i naftës njeh vetëm rritje, ndërsa nuk duket ende fundi i krizës
Kriza e çmimeve të naftës nuk ndalet në vend, pavarësisht zhvlerësimit rekord të dollarit, monedhë në të cilët tregtohet ari i zi në bursa. Gjatë ditës së djeshme një pjesë e kompanive kanë rritur çmimin e naftës D1 në 154 lekë për litër, ndërsa grosistët bëjnë të ditur se rritja e çmimit është e pashmangshme, pasi një efekt i tillë vjen vetëm për shkak të konjunkturës së çmimeve në bursa. Mbyllja e javës në bursa ka kapur edhe rekordet e reja për çmimet e naftës që kanë mbërritur në 111 dollarë për fuçi. Një faktor tjetër që tregon se tregu vendës nuk ndikohet vetëm nga kërkesë-oferta por edhe nga faktorë të tjerë, është se nëse shikon grafikun e ecurisë së çmimit në tregun ndërkombëtar, vëren se ka rritje, por ka edhe ulje. Në grafikun e çmimit në Shqipëri shënohet vetëm rritje ose stanjacion. Një litër naftë kushtonte 69 lekë në fillim të vitit 2003. Arriti kulmin në mars të këtij viti, kur u shit për 150 lekë për litër. Por situata duket pesimiste pasi karteli më i madh në botë, OPEC, vazhdon që të deklarojë se nuk do të marrë asnjë masë rritje në ofertë.
Që prej shumë vitesh akuzohet se kompanitë e naftës në Shqipëri veprojnë në kushte oligopoli, ku një grup i vogël kompanish ka në dorë shumicën dërrmuese të furnizimit të tregut. Që në vitin 2002, kur një legjislacion i ri vendosi kushte të rrepta për licencimin e kompanive të importit të naftës, u dhanë shenjat e rritjes abuzive të çmimeve. Legjislacioni kërkonte vlera investimi prej shumë milionë dollarësh, për të marrë të drejtën e importit. Shumica e kompanive shqiptare të kohës nuk arritën t'i plotësonin këto kushte. Disa vite më vonë, kushtet e licencimit u lehtësuan dhe më shumë operatorë filluan të hyjnë në treg. Megjithatë, sërish abuzimet mbetën. Por një fakt i tillë jepet më së qarti siç thamë më sipër, nga konjunktura e çmimeve, e cila nuk ka asnjëherë rënie, duke vënë në pikëpyetje edhe konkurrencën në këtë treg që po njeh rritje të shpejtë në vend.
Vitin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës hapi hetime për tregun e hidrokarbureve. Ekzistenca e një shoqate që prezantohet si përfaqësuese e tregtarëve të hidrokarbureve qe shkas për të dyshuar se marrëveshje të fshehta shërbenin për koordinimin e sjelljes së tregtarëve në treg. Problemi është se disa nga tregtarët e mëdhenj të naftës nuk ishin as të informuar se marrëveshje të tilla janë të paligjshme. Në rast se gjenden fajtorë, kompanitë rrezikojnë gjoba nga 2 deri në 10% të xhiros së tyre vjetore. Pasi u themelua në vitin 2004, Autoriteti i Konkurrencës ka shqyrtuar disa çështje dhe ka vendosur disa gjoba. Por shumica e këtyre gjobave nuk janë mbledhur nga Administrata Tatimore, e cila refuzon të konsiderojë detyrim ligjor mbledhjen e gjobave të vëna nga një institucion tjetër. Megjithëse në Shqipëri rritja e çmimeve të naftës nuk ka një ndikim shumë të fortë në rritjen e çmimeve, siç mund të jetë në vende të tjera, efektet e krizës janë të prekshme. Sektori që ka ndjerë më fort këtë goditje është bujqësia që për vitin 2007, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka pësuar një rënie me 1.7 për qind.