Apeli dorëzohet para “çekut” të Rezart Taçit Nga TemaGjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj Rezart Taçit duke e lënë të lirë atë. Gjatë seancës së djeshme kjo gjykatë ka vendosur që hetimet ndaj Taçit të kryen në gjendje të lirë. Në vend
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Apeli dorëzohet para “çekut” të Rezart Taçit Nga TemaGjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj Rezart Taçit duke e lënë të lirë atë. Gjatë seancës së djeshme kjo gjykatë ka vendosur që hetimet ndaj Taçit të kryen në gjendje të lirë. Në vendimin e saj gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, duke rrëzuar masën e caktuar nga ana e Gjykatës së Tiranës, “Arrest me burg”. Ndërkohë, sipas vendimit, Rezart Taçi duhet të paraqitet në ambientet e prokurorisë një herë në javë dhe më saktësisht çdo të hënë në orën 14:30. Vendimi për këtë masë është caktuar nga ana gjyqtarëve e Alaudin Malaj, Metush Saraçi dhe Edmond Islamaj. Gjatë shqyrtimit të masës së sigurisë për Taçin, prokurori Dritan Peka kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, duke argumentuar se kishte prova të mjaftueshme për agresionin e Taçit ndaj Mero Bazes dhe se konflikti ka ardhur vetëm për shkak të detyrës së tij si gazetar. Ndërsa avokati i Taçit, Maks Haxhia, tha se masa e mëparshme e Gjykatës së Tiranë ka qenë ekstreme dhe se nuk ishte marrë parasysh personaliteti i të pandehurit.
Vetëm dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës kishte rrëzuar kërkesën e përsëritur të Taçit për lirimin e tij nga burgu. Ndërkohë, Gjykata e Apelit, ndryshe nga Taçi, ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë ndaj truprojës së tij Irgen Selfo, duke e lënë në burg atë, ndërsa për Bledar Lilon ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Së bashku me punëdhënësin e tyre, Rezart Taçi, ata akuzohen për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës, kryer në bashkëpunim”, vepër për të cilën ata rrezikojnë që të dënohen nga gjobë deri në tre vjet burg.
Në fakt, kërkesa për revokimin e masës së sigurisë së Rezart Taçit duhej të shqyrtohej nga ana e gjyqtarëve Zeqine Sollaku dhe Fatos Qato. Por këta të fundit hoqën dorë nga çështja, me argumentin e konfliktit të interesit. Të dy gjyqtarët janë shprehur se kishin konflikt interesi dhe nuk mund ta shqyrtonin këtë kërkesë. Gjyqtarja Sollaku tha se kishte konflikt interesi me gazetarin e dhunuar, Mero Baze, pasi ka pasur një proces gjyqësor me të. Ndërkohë, gjyqtari Qato hoqi dorë për shkak të lidhjeve miqësore me biznesmenin Rezart Taçi.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, avokatët e biznesmenit Rezart Taçi janë shprehur se ky ka qenë një vendim i drejtë, i cili duhej të merrej që në fillim nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Rezart Taçi qëndroi dy javë në qeli. Ai u vetëdorëzua pas masës së sigurisë “Arrest me burg” që caktoi Gjykata e Tiranës, ndërsa nuk e bëri një gjë të tillë, kur u shpall në kërkim nga policia e kryeqytetit.
Garancia, Taçi ofroi 100 mijë euro që të lirohej
Biznesmeni Rezart Taçi, që akuzohet për dhunën brutale të ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, ofroi plot 100 mijë euro për lirimin e tij nga burgu. Gjatë caktimit të masës së sigurisë nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, mbrojtësit e tij thanë se Taçi ishte i gatshëm që të ofronte shumën e konsiderueshme si garanci për lirimin e tij. Por gjykata vendosi që ta hedhë poshtë këtë garanci, duke e lënë në qeli atë. Gjykata e ka argumentuar vendimin e saj me faktin se Taçi mund të largohej nga vendi dhe t’i fshihej drejtësisë, si dhe mund të komprometonte faktet e mbledhura nga ana e prokurorisë. Taçi gjithsesi nuk u ndal përpara këtij vendimi dhe gjatë një tjetër kërkese drejtuar Gjykatës së Tiranës për lirimin e tij, ai ka ofruar si garanci pasurore shumën prej 50 mijë eurosh. Edhe kësaj here gjykata nuk e ka pranuar shumën e tij për të njëjtat arsye si herën e parë dhe e ka lënë në burg atë. Gjë që nuk e ka bërë Gjykata e Apelit, e cila e ka liruar ditën e djeshme.
Dy prej agresorëve të Mero Bazes, ende të lirë
Dy prej truprojave të Rezart Taçit, të cilët kanë marrë pjesë në dhunimin e gazetarit Mero Baze, janë ende të lirë. Edhe pse kanë kaluar dy javë nga ngjarja e rëndë, oficerët e policisë nuk kanë mundur që t’i arrestojnë ata. Madje nuk dihet, nëse ata janë persona të shpallur në kërkim, ndërsa policia nuk jep asnjë shpjegim për këtë fakt. Tashmë është provuar që ata, jo vetëm kanë dhunuar fizikisht gazetarin Mero Baze, por janë persona edhe me precedentë penalë. Një prej tyre, vetëm pak muaj nga dhuna e ushtruar ndaj Bazes, kishte marrë pjesë në një grindje në Tiranë, duke plagosur një person. Por edhe këtë radhë ai nuk ishte arrestuar nga forcat e policisë së kryeqytetit.
Truproja e Taçit, donator i bamirësive të Liri Berishës
Edhe pse për agresorët e Mero Bazes u tha që ishin thjesht truproja mbrojtës të Rezart Taçit, edhe kjo nuk rezulton kaq e thjeshtë. Lidhjet mes biznesmenit e shoqëruesit të tij, Irgen Selfo, janë shumë më të thella se marrëdhëniet shef-vartës. Në fakt, emri i 23-vjeçarit Selfo figuron edhe në ankandin e zhvilluar në maj të këtij viti për blerjen e fanellave të lojtarëve të Milanit, të sjellë me bujë në kryeqytet nga i kamuri i ri, Rezart Taçi. Njeriu me detyrë funksionale truprojë, Irgen Selfo, ka shpenzuar 7 mijë euro për blerjen e bluzës së brazilianit Ronaldinjo dhe zviceranit Filip Senderos gjatë ankandit të zhvilluar pas ndeshjes. Por kjo nuk është e gjitha. Të ardhurat e ankandit, plot 65 mijë euro, kanë shkuar për llogari të fondacionit bamirës “Fëmijët shqiptarë” të gruas së kryeministrit Berisha. Dhe janë këto pará, veç shumë të tjerash, të derdhura bujarisht në arkën e Familjes Berisha, ato që i siguruan mbrojtje Rezart Taçit nga institucionet shtetërore, madje edhe sot, që ai ndodhet në qeli me masën “Burg pa afat” për agresion fizik.