Hipokrizia LDK-istëve të ThaçitNga Halil MatoshiSynimi legal i “engjëllit mbrojtës” të LDK në Prishtinë, Isa Mustafa, për ta marrë timonin e partisë duket tashmë sigurt se do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, sepse Isa nuk do të përfitojë as
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Hipokrizia LDK-istëve të ThaçitNga Halil MatoshiSynimi legal i “engjëllit mbrojtës” të LDK në Prishtinë, Isa Mustafa, për ta marrë timonin e partisë duket tashmë sigurt se do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, sepse Isa nuk do të përfitojë asgjë në kursin e tij liderit, nëse partia e tij vazhdon të participojë në qeverinë e korruptuar dhe “autoritare” e “jodemokratike”, siç e cilësoi në disa raste zv/kryeministri nga radhët e LDK, Ramë Manaj, qeverinë e tij
Ngrihet AAK, ndërsa AKR-LDD bëhen konkurruese, duke i dhënë skenës politike kosovare faktorin e katërt, ndërsa LDK, megjithëse ruan Prishtinën, Podujevën dhe Fushë-Kosovën, pëson debakël në Gjakovë, Ferizaj, Suharekë. Klinë… LDK dikur lëvizje nacionale e kosovarëve për liri e pavarësi dhe partia numër një pas lufte, nga zgjedhjet e 15 nëntorit del me dilemën: Çka tash?
Ndonëse LDK ka fituar tri komuna (ndër to edhe kryeqytetin) dhe ka shkuar në balotazh edhe në njëmbëdhjetë të tjera (Gjilan, Prizren, Sharr, Lipjan, Kastriot, Rahovec, Malishevë, Istog, Junik, Kamenicë dhe Novobërdë) e gjasat i ka të mira pos Istogut dhe Novobërdes edhe në Gjilan e Kamenicë e më pak në Prizren, ajo më tepër mbetët në skenë si parti historike sesa konkurrente dhe me vizion të qartë për të ardhmen e vetes. Isa Mustafa është njeriu i fundit, “zbulim” i kësaj partie, i cili mblodhi rreth vetes një elektorat të admirueshëm, por jo edhe emra domethënës për Prishtinën, por çka do të bëjë ky njeri me këtë fitore bindëse? Të fundoset në komoditetin e një burokrati komunal apo të synojë ta marrë timonin dhe ta drejtojë anijen e thyer të quajtur LDK, që pësoi tronditje të pareshtura dhe që është barrikaduar në Prishtinë, duke i bërë rezistencë çdo ideje të re dhe çdo njeriu të ri, që mund t’i afrohet?
Po ashtu është problem nëse dikush i afrohet, sepse LDK nuk ka ofertë.
Nëse Mustafa pretendon ta marrë drejtimin e partisë, ai duhet të ishte i vetëdijshëm se nuk mundet të qëndrojë asnjë ditë më tutje në koalicion me qeverinë e Hashim Thaçit, ku ushtrohet një kontroll i rreptë edhe ndaj ministrave të LDK dhe kjo, jo pse është vizion apokaliptik i dikujt, porse vetë njerëzit e LDK (madje edhe ministra që ulën në të njëjtën sofër me Thaçin) e kanë katranosur modelin qeverisës të tij. Tash shtrohet pyetja logjike: Si munden ata njerëz të qëndrojnë ende në krahët e kryeministrit Thaçi, cila është këtu etika e pushtetit të tyre, të mos themi, cila është fytyra e tyre?
Prandaj për ta konsoliduar një LDK, që ende është diku në mbamendjen e kosovarëve si parti civile dhe si balancë e fuqisë politike, që kishte një lider si Dr. Rugova, ajo duhet ta rimendojë pozicionin e vet. Isa Mustafa pra, po që se ka ndonjë interesim ta drejtojë këtë parti, e është njeriu me kredibilitetin më të madh të votës, e ka shtyrë në histori edhe vet Fatmir Sejdiun, si njeriun më të votuar të LDK më 2007, sepse nga pozicioni aktual prej vasali, ai nuk ka bërë asgjë për t’i ofruar ndonjë hair votuesit të tij, e lëre më shoqërisë kosovare. Kryetari i shtetit prandaj do ta humbte edhe garën për Prishtinën, sepse ky njeri ka abuzuar me votën e LDK, duke i ka dhënë mbështetje jokritike një qeverisjeje autoritare dhe pa legjitimitet vertikal dhe horizontal. Isa Mustafa, natyrisht nëse e sheh politikën si art i të mundshmes dhe nëse nuk e sheh veten vetëm statist në politikat
kombëtare, atëherë duhet që nëpërmjet presionit të anëtarësisë ta thërrasë Këshillin e Përgjithshëm, të marrë drejtimin e partisë dhe ta prishë kurorën me PDK, për t’u tërhequr në opozitë të fuqishme, nëse mendohet që të dilet fare në zgjedhjet nacionale. Nuk ekziston tutje asnjë justifikim i LDK (për hir të procesit të pavarësisë etj.), që të qeveriset keq Kosova, siç ata vetë e pohuan gjatë fushatës paraelektorale. Vetëm tërheqja në opozitë dhe lufta politike për një model vërtet demokratik qeverisës dhe për një drejtësi sociale dhe kohezion kombëtar do ta bënte LDK parti serioze dhe konkurrente. Pastaj do të afrohej lehtësisht edhe qytetari. Përndryshe gjithçka mbetët vetëm histori. Sepse, qëndrimi në këtë qeveri i kësaj partie e identifikon atë me autoritarizmin dhe korrupsionin, me shkelësit e lirive qytetare, lirisë së shprehjes dhe të shtypit. E identifikon atë me anën e kundërt të ligjit, që ndikon në gjyqësor dhe që politizon skajshmërisht administratën civile, ushtrinë dhe policinë.
E populli mban mend gjatë. Prandaj synimi legal i “engjëllit mbrojtës” të LDK në Prishtinë, Isa Mustafa, për ta marrë timonin e partisë duket tashmë e sigurt se do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, sepse Isa nuk do të përfitojë asgjë në kursin e tij liderist, nëse partia e tij vazhdon të participojë në qeverinë e korruptuar dhe “autoritare” e “jodemokratike”, siç e cilësoi në disa raste zv/kryeministri nga radhët e LDK, Ramë Manaj, qeverinë e tij. Ditë më parë nominalisht njeri nga të dytët e ekzekutivit të vendit ose njëri nga zëvendësit e Hashim Thaçit e kritikoi qeverinë e tij se ka rrëshqitur në autoritarizëm, kurse të enjten më 12 nëntor, pothuajse në mbyllje të fushatës, në Shtime ai kërkoi votën e qytetarëve për rikthimin e vlerave të demokracisë!? Nëse është e vërtetë se qeveria e Kosovës është autoritariste dhe ka abuzuar me vlerat e demokracisë, pra është jodemokratike, gjithnjë këtë s’po e them unë, por partnerët e Thaçit, një ndër fajtorët për “stalinizimin” e saj është pikërisht ky njeri, që ulet në fron dhe kurrë nuk i ka shkuar mendja të mbrojë vlerat demokratike, ama bash kurrfarë vlerash, e sot…?
Hajde vakt hajde, e vakti thonë e ha edhe kashtën, por si ka guxim qytetar ky njeri të pështyjë mbi karrigen ku qëndron paluhatshëm tash e dy vjet?
Ky është Sekretari i Përgjithshëm i LDK, Ramë Manaj. Njeri i fuqishëm në qeveri, i cili ka kontribuuar shumë në ngritjen e “shkollës diplomatike” të Klinës (madje e ka “shvercovatë” në shërbimin e jashtëm të shtetit edhe një familjar të vetin) disa ditë para se të fillonte fushata paraelektorale e ka mbrojtur me ngulm qeverinë e tij kurse sot duke “ua bërë me sy” kolegëve të tij ministra, e ka nxjerrë një time out, që në sy të popullit t’i shajë pak ata, sepse kështu edhe janë marrë vesh PDK dhe LDK e PDK.
Pa hidhërim demek, që të gjithë të dalin nga gara të lumtur. Kryeministri thotë se PDK ka shënuar ngritje, Lutfi Haziri thotë se LDK është rritur për 9%., AAK është dyfishuar etj. Vërtetë në këtë rritje të AAK ka ndikuar liberalizimi i liderit Haradinaj pas lirimit nga akuza e Hagës, mënjanimi nga partia i të përfolurve për korrupsion si dhe hapja e saj për mendësinë e re si Blerim Shala, Blerim Kuçi, Besnik Tahiri...
E ish-partneri qeverisës i Haradinajt, LDK nuk e ka këtë guxim për hapje, sepse rezistenca nga brenda është habitshëm e fortë. E elektorati? Që nuk doli kush t’i thotë Ramë Manajt në sy: po mirë zotëri, pse qëndroni ju në atë qeveri të korruptuar, autoritare dhe jodemokratike? Kjo e shtron pyetjen tjetër logjike: A ekziston diçka që e perceptojmë si ndërgjegje qytetare, se guxim qytetar jo se jo, më në këtë vend? Në tubimin përmbyllës të LDK në Shtime, Manaj ka thënë se platforma e kandidatit për kryetar komune, Ismail Hasani, i garanton Shtimes rikthimin e vlerave të demokracisë e lirisë dhe zhvillimit ekonomik e mirëqenies sociale. Fjala rikthim në këtë ligjërim është çelësi magjik: kanë ekzistuar dikur vlerat demokratike, na i kanë marrë dhe ne, qytetarët do t’i rikthejmë me Manajn!
Nuk ka dyshim se demokracia e kontrolluar e modelit Thaçi mban peng energjitë e shoqërisë dhe në sytë e botës krijon imazhin e “vrimës së zezë” në hartën evropiane, por po ashtu dyshoj në tipin e demokracisë së Manajt&Co.
Pse nuk mund të ketë reformë në LDK dhe kush e mban peng për pushtet personal këtë parti? Kur e them këtë, më rri parasysh imazhi i defiguruar i kryetarit të vendit, Fatmir Sejdiut, si ndër figurat kyçe në LDK, që mban peng energjitë e anëtarësisë së kësaj partie dhe që, askush e madje as Isa Mustafa nuk ka guxim për ta sfiduar hapur. Sejdiu nuk ishte as nuk u bë kurrë entitet. Prandaj ky politikan është njeriu më i rrezikshëm që e njeh historia e re e Kosovës, jo vetëm për partinë e tij LDK, por edhe për demokracinë dhe fjalën e lirë LDK nuk e bëjnë parti moderne “mumiet” që tashmë banojnë në histori, por hapja ndaj konkurrencës dhe vlerave. LDK nuk e konsolidojnë politikanët hipokritë dhe demagogët e vjetër e të rinj, por mendjet e hapura, njerëzit e karrierës që kanë shënuar rezultate në ndonjë lëmi dhe që e ndërrojnë dinamikën e topitur të pushtetit, së pari brenda kësaj partie, e pastaj edhe në konkurrencë me partitë e tjera, sepse LDK nuk është e pashpresë...