Përse duhet të hapen kutitë e votimit?Nga Blerta KrajaDikush mund të thotë, kutitë e votimit duhet të hapen, se opozita kthehet menjëherë në Kuvend. Arsye e mirë dhe e shëndoshë. Dikush tjetër mund të thotë, kutitë e votimit duhet të hapen menjëher
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Përse duhet të hapen kutitë e votimit?Nga Blerta KrajaDikush mund të thotë, kutitë e votimit duhet të hapen, se opozita kthehet menjëherë në Kuvend. Arsye e mirë dhe e shëndoshë.
Dikush tjetër mund të thotë, kutitë e votimit duhet të hapen menjëherë, se një mandat demokristian dyshohet të jetë vjedhur në Shkodër. Arsye më shumë se logjike, kur dihet delikatesa e marrëdhënieve ndërfetare në një qytet kontrastant si Shkodra. Dikush tjetër mund të thotë, kutitë të hapen, se Bashkimi Evropian do ta rendisë procesin zgjedhor si të rregullt dhe të verifikueshëm. Pse jo, tek aspirojmë, si të fundit të mbetur, të bëhemi dhe ne pjesë e familjes evropiane.
Dikush tjetër mund të thotë, të hapen kutitë e votimit, se kështu e ka parashikuar ligji. Kjo një arsye më shumë tek shihet se dy forcat politike në betejë e lexojnë ligjin ndryshe, kur ndërkohë ligji është shkruar në gjuhën tonë shqipe dhe madje është shkruar trashë e bruto, pa ndonjë finesë juridike, për t’u kuptuar lehtë dhe nga jo-juristët.
Dikush tjetër mund të thotë, të hapen kutitë e votimit, se përndryshe nuk shkojmë më në zgjedhje, se këtu vota është zhvleftësuar. Krejt normale, se ç’vlerë ka vota jonë, kur ajo s’numërohet, por, dhe kur pretendohet të jetë numëruar, nuk lejohet këqyrja e përputhjes mes përmbajtjes së votës vetë dhe procesverbalit “konsensual”. Dikush po ashtu mund të thotë, të hapen kutitë e votimit, si e vetmja mënyrë, që të njëjtat fytyra standarde e bajate, që pavarësisht se nuk i voton kush, të mos na dalin përherë e përherë deputetë.
Dikush tjetër mund të thotë, të hapen kutitë e votimit, se mosushtrimi i së drejtës së votës deri në fund na ka lënë prapë në komunizëm dhe është e vetmja mënyrë, që t’i shporrim komunistët, që brutalisht kanë depërtuar në të gjitha partitë politike, bashkë me ish-sigurimsat dhe bashkëpunëtorët e tyre. Një arsye më se logjike, kur 20 vite pas rënies së Murit të Berlinit, sikur të mos kishte ky vend vajza e djem të zotë, ne vazhdojmë për dreq e kemi një kryeministër komunist, çka do të thotë se komunizmi te ne nuk ka rënë, vazhdon më i fortë se kurrë, por i kamufluar nën lojën gjoja demokratike. Dikush tjetër (që ka qenë në komisione) mund të thotë, të hapen kutitë e votimit, se votat janë ndryshe nga procesverbalet dhe pas asaj dite kjo qeveri e pabukur, antikombëtare dhe shkatërrimtare për jetët e njerëzve, thyen qafën e na merr të keqen. Sigurisht, një arsye më shumë se bindëse për ta kthyer shtetin në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të pushtetarëve uzurpatorë.
E dikush tjetër mund të thotë, të hapen kutitë e votimit sa më parë, se rivendoset e drejta e shkelur dhe kthehet paqja e prosperiteti në këtë vend. Te ky grupim hyn dhe shkruesja e këtyre radhëve, por kjo është një arsye krejt e vogël në krahasim me kumulimin e arsyeve të tjera, që gëlojnë në trutë dhe shpirtrat e të gjithë qytetarëve, që mbushin të dëshpëruar sheshet, kur shohin se dhe shprehjen e tyre te vetme, të shenjtë, votën, ua vjedhin sy për sy, e pa iu bërë syri terr, e pa iu hyrë gjemb në këmbë hajdutëve të rastit.
Një mandat demokristian lëviz rezultatin …
Besoj se të gjithë e kanë parë materialin filmik, të ofruar nga kamerat e KQZ për mënyrën se si votat nga PDK ishin regjistruar, si të PD në, në qarkun e Shkodrës. Një indicie e tillë duhej t’i mjaftonte prokurorisë sonë të çohej peshë dhe t’i sekuestronte kutitë e qarkut Shkodër dhe nga aty në mënyrë përfundimtare do të dilte se sa vota u janë vjedhur demokristianëve.
Mirëpo prokuroria, siç duket, zgjedh të bëjë indiferenten, kur në fakt nuk e ka në dorë të zgjedhë rolin, por thjesht të kryejë detyrën.
Nëse prokuroria nuk kryen detyrën, pra të bëjë një hetim të shpejtë edhe për kallëzimin e demokristianëve, atëherë s’ke ç’i thua, por Komisioni Evropian ka të drejtë, kur konstaton se sistemi i drejtësisë nuk funksionon si duhet te ne.
Po nëse kutitë e votimit të qarkut të Shkodrës digjen, ende po i sekuestruar prokuroria, çfarë mase duhet të merret ndaj prokurorisë? Në një moment të tillë nuk ka nevojë për koment.
Është e vërtetë që afati ligjor për përfundimin e hetimeve është 3 muaj, por në një çështje të tillë, që edhe një prokuror fillestar do t’ia kishte dalë mbanë, është e pafalshme se si prokuroria e mban dosjen në dorë, derisa të jetë një ditë para përfundimit apo një ditë pas përfundimit të afatit, që t’i kthejë një përgjigje “krejt ligjore“ demokristianëve.
Pra, dhe mosfunksionimi normal dhe në përputhje me ligjin, si dhe me vetë frymën e Kodit të Procedurës Penale, i prokurorisë e shton dozën e ashpërsisë së toneve politike. Nëse prokuroria do ta kishte hetuar këtë çështje dhe (larg qoftë për fatin e keq të qeverisë), pretendimi i demokristianëve të rezultonte i vërtetë, kuptohet që vendi sot do të qeverisej nga një qeveri teknike dhe do të ishte caktuar data e zgjedhjeve të parakohshme.
Por, një mandat demokristian dyshohet të jetë vjedhur, jo në një qark dosido, por në Shkodër, në qytetin që hodhi i pari bustin e Stalinit, atëherë kur ende kryeministri i sotëm vazhdonte të ishte një komunist i zellshëm me Partinë e Punës. Shkodra duket sikur i pranon në qetësi manovrat gjoja të holla të qeverive okazionale, që ka prodhuar ky vend, që nga 1944, por se në ditën që e kupton se situata nuk mund të durohet më, merr pamjen e vet më demokratike dhe europianiste, e s’ka forcë e as komunist apo ish-komunist i shndërruar nga ekonomia e tregut, që ta frenojë në kërkimin e së drejtës së vet. Një mandat demokristian dyshohet të jetë vjedhur në Shkodër dhe kaq duhet të mjaftojë që të hapen kutitë e votimit për të shuar çdo dyshim të arsyeshëm.
A shkelet ndonjë ligj apo vendim gjykate po të hapen kutitë e votimit?
Që Kodi Zgjedhor e ka të parashikuar të drejtën e dy anëtarëve të KQZ, që të kërkonin marrjen si provë edhe të kutive të votimit apo rinumërimin/rivlerësimin e votave në to, është tashmë një çështje e shumëtrajtuar dhe që s’lë vend për ekuivok. Edhe rrekja e ca tipave që në këmbim të bukës së gojës përpiqen ta deformojnë përmbajtjen e normave juridike, kinse nga thellësia e mendimit të tyre, nuk është se ia zbeh apo e luan nga vendi këtë të drejtë të cenuar.
Mirëpo ushtrimi i kësaj të drejte brenda sistemit ankimor zgjedhor do të kishte sjellë efektin e vet, ku votat e numëruara mirë do të përktheheshin në mandatin e deputetit të partisë së votuar, por tashmë ky është një kapitull i mbyllur.
Dikush thotë se s’mund të hapen kutitë e votimit, se për këtë çështje është shprehur Kolegji Zgjedhor. Po Kolegji Zgjedhor është shprehur që këto kuti të mos hapen me kërkesë të dy anëtarëve dhe për pasojë rinumërimi i votave mos të ndryshonte rezultatin. Pra, me të drejtë nuk do të hapeshin më kutitë, po të ishin administruar si provë dhe të ishin rinumëruar në një proces gjyqësor, sepse do të merrej si provë e plotë çfarë ishte regjistruar në procesverbalin gjyqësor. Në kushtet kur Kolegji as i ka administruar si prova kutitë e votimit, këto kuti s’kanë kurrfarë korace gjyqësore. Ja pse s’ka cenim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor.
Dikush tjetër thotë se kutitë e votimit nuk mund të hapen, se i pengoka një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2003. Edhe ky është një keqzbatim i këtij vendimi, i cili përkundrazi vendos kufijtë e objektit të shqyrtimit nga një komision hetimor. P.sh., në vendim thuhet: “Këto parime përjashtojnë çdo formë kontrolli mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave. Pavarësia e gjykatave nuk vendos embargo ndaj vlerësimeve kritike që mund të vijnë nga qytetarët ose deputetët...”. Pra, komisioni nuk mund të hetojë mbi procedurën që ka ndjekur Kolegji Zgjedhor, si dhe mbi mënyrën apo motivet e brendshme, që i kanë shtyrë gjyqtarët të marrin atë vendim gjyqësor.
Por hapja e kutive të votimit, të cilat as u administruan si provë në Kolegj, nuk sjell kurrfarë cenimi të veprimtarisë së gjykatave.
Po le ta thjeshtëzojmë çështjen: çfarë statusi juridik kanë fletët e votimit, pra votat që ndodhen në ato kuti të famshme? Asgjë më shumë se dokumente zyrtare, jo sekret shtetëror dhe s’janë për fat as prova të administruara gjyqësisht. Nëse procesverbalet e votimit janë dokumente zyrtare që arkivohen në Arkivin Qendror të Shtetit (neni 178, pika 6, e Kodit Zgjedhor), fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ. Pra fletët e votimit, që kërkohet të këqyren nga deputetët e opozitës, janë në kategorinë e dokumenteve zyrtare të padobishme dhe të panevojshme për arkivim, por po ashtu asnjë ligj nuk i pengon të tretët të informohen mbi përmbajtjen e tyre. E drejta për informim është e sanksionuar në nenin 23 të Kushtetutës sonë, si dhe në nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe aty s’parashikohen si pengesa për ushtrimin e kësaj të drejte shkaqet që po evokohen publikisht. Madje, kjo e drejtë mund të ushtrohet edhe nga një avokat, që ka të drejtë të kërkojë akte pranë organeve të administratës publike, duke i thënë se jam autorizuar nga ky subjekt politik dhe dua ta këqyr këtë kuti votimi, sepse dua të paraqes kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Çfarë pengese ligjore ka? Asnjë.
Në një plan më praktik, kazusi është: opozita i thotë qeverisë: Ju, duke keqpërdorur KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor, na mohuat një të drejtë, të rinumërimit të votave, duke na hequr kësisoj mandatet për tre deputetë të tjerë. Dhe si provë për këtë pretendim mjafton e drejta e shkelur e dy anëtarëve të KQZ, e parashikuar me ligj, si dhe materialet filmike tashmë të bëra publike. Qeveria thotë: Ne i kemi marrë votat dhe për këtë hajde këqyrim kutitë. Pra, hapja e kutive është e vetmja rrugë, që qeveria të provojë se i ka votat për të justifikuar mandatet që ka kaparuar. Përndryshe, duke parë se hapja e kutive të votimit është një veprim normal në një shoqëri demokratike, i bie që qeveria nuk do t’i hapë, se votat nuk janë siç janë hedhur në procesverbale. Nuk ka asnjë shkak tjetër.
Qeveria e ka në dorë të provojë të kundërtën, duke hapur kutitë. Siç shumë juristë thonë, kur një çështje mbyllet arbitrarisht me një zgjidhje të paligjshme, mijëra shtigje të ligjshme çelen për ta ringritur atë. E pra shtigjet ligjore janë disa: Prokuroria, Gjykata Kushtetuese, Komisioni Hetimor, ushtrimi i së drejtës për informim i subjekteve të përcaktuara me ligj etj., të gjitha këto institucione mund t’i hapin lehtësisht kutitë e votimit. Mbase opozita ka zgjedhur rrugën e mbetur, pra Komisionin Hetimor, duke parë se institucionet kupolë të drejtësisë janë nën ankthin e kapjes së ndonjë vendi vakant, që çelet deri në mars, si në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë, çka i bën ta shohin me sy të përdëllyer atë që ka në grusht 71 deputetët e nevojshëm për emërimet në këto poste.
E ardhmja e kutive të votimit…
Me ç’duket situata politike do të vazhdojë të jetë e nderë, për sa kohë kutitë e votimit nuk hapen. Dhe më e bukura është se vetëm ½ e shqiptarëve me të drejtë vote kanë votuar më 28 qershor. Qeveria, që pengon hapjen e kutive dhe vijimin e jetës normale politike, shoqërore dhe ekonomike, ka votat e veç ¼ së shqiptarëve, çka do të thotë se ¼ na qeveris dhe merr zvarrë ¾ e tjera, kjo është më shumë se komedi.
Në një kohë që zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kërkesë për t’u konsideruar një vend demokratik, dhe që kutitë e votimit hapen gjithandej, pyetja që i shtrohet natyrshëm qeverisë është: A duhet të hapen kutitë e votimit, jo vetëm këto të zgjedhjeve të 28 qershorit, por dhe të zgjedhjeve në vijim?
Nëse do të vazhdohet me idenë që kutitë e votimit janë sekret, megjithëse nuk janë të klasifikuara ligjërisht si të tilla, por janë sekret, sepse dikush me njëmijë manovra ka arritur ta menaxhojë procesin e numërimit për të ndenjur me zor në pushtet, atëherë s’do shumë mend për të kuptuar se ende nuk jemi një shtet demokratik.
Siç u pa, hapja e kutive të votimit nuk shkel asnjë ligj, asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese, përkundrazi përforcon të drejta të fituara tashmë, si me Kushtetutë apo me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kacavjerrja pas preteksteve gjoja “ligjore” përbën thjesht një zgjatje të krizës politike në vend, kur, po të kishim një qeveri të arsyeshme dhe vërtet demokratike, do të thoshte: Ju dyshoni se nuk i kam votat për këto mandate, ja, hajdeni shihini votat dhe me atë ditë ajo është një qeveri e pakontestueshme, porse kyçja e kutive provon, për fat të keq, të kundërtën.
Do të hapen apo jo kutitë e votimit, kjo është çështja. E derisa t’i jepet një përgjigje pozitive, edhe nga qeveria, ne do të vijojmë të mos bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, kriza politike do të vazhdojë, agonia e këtij populli në mbijetesë do të zgjatet dhe vendi do të varfërohet edhe më shumë. Mbase deri atëherë edhe statistikat evropiane për tendencën migratore për ne do të thellohen, ku shprehjes së tyre se, “një ndër tre shqiptarë ka emigruar, por dy ndër tre dëshirojnë të emigrojnë”, do t’i shtohet, pa përjashtuar askënd, edhe kryeministrin.