E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli, gjobë 200 mijë lekë Aldrin Dalipit

Gazeta Shqip

Në prag të mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, gjykata e dënon për shpifje ndaj Lulzim Bashës

aldrin dalipiKreu i këshilltarëve të majtë në Bashkinë e Tiranës, Aldrin Dalipi, emri i të cilit po flitet si kryetar i ri i Këshillit Bashkiak, pas bashkimit të PS-së dhe LSI-së, është dënuar dje nga Gjykata e Apelit në Tiranë me një gjobë prej 200 mijë lekësh. Vendimi vjen disa ditë pas një mbledhjeje të këshilltarëve të majtë në këtë këshill, të cilët vendosën që të shkarkonin kreun aktual, Njazi Kosovrasti, dhe propozuan pikërisht emrin e Dalipit. Tashmë goditja e parë ndaj tij vjen nga gjykatat, të cilat shprehen se e kanë gjetur fajtor për një fjalim që ka bërë kundër kryetarit Lulzim Basha. Më herët, Gjykata e Tiranës e kishte dënuar me 1 milion lekë gjobë, ndërsa shpjegonte se Dalipi kishte bërë tri prononcime publike kundër Bashkisë së Tiranës. Më datë 1 dhjetor 2011, në shtypin dhe në kronikat e edicioneve informative të televizioneve të njohura, janë pasqyruar gjerësisht disa deklarata të dhëna nga i padituri, z. Aldrin Dalipi, të cilat i provojmë para gjykatës me kasetën filmike të regjistruar me zë, si dhe me gazetat, në të cilat janë botuar këto deklarata. Deklarata e parë është botuar në faqen zyrtare të Partisë Socialiste. Reagimi i dytë është bërë në tri gazeta të përditshme, ndërsa i treti në një televizion, thuhet në vendimin e gjykatës.

Fjalimi

Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë me numër akti 6140, i dhënë datë 01.10.2012, një kopje të të cilit disponon edhe Shqip, thuhet se i padituri Aldrin Dalipi ka mbajtur disa fjalime kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Dalipi ka thënë se Basha vodhi votat, ndërsa tashmë po vjedh hapur Tiranën. Bashkia e kryeqytetit çdo ditë po kthehet nga kryetari i emëruar i saj në një vatër dramatike të korrupsionit të familjes së tij. Tashmë kjo quhet me të drejtë nga qytetarët dhe mediat bashkia e kunatit. Qytetarët në fund po e shohin përditë se kush dhe pse i vodhi votat më 8 maj. Edhe njëherë shqiptarët duhet ta mësojnë mirë: kush vjedh votat do vetëm të vjedhë, ka deklaruar Dalipi, duke iu referuar disa shkrimeve në media se disa kompani kishin fituar tenderin për dekorin e Tiranës për festën e Pavarësisë. Pas kësaj deklarate, një padi është regjistruar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa sërish, Dalipi, në një komunikim me mediat, do të pohonte se paditë e zëdhënëses së Lulit nuk trembin dot shumicën e qytetarëve që votuan më 8 maj për Aleancën për të Ardhmen. Ai ka thënë se kryetari Basha duhet të mos fshihet, por të tregonte publikisht dokumentacionin, pasi transparenca është detyrim themelor për këdo.

Vendimi i gjykatës

Sipas gjykatës, i padituri Aldrin Dalipi i ka dhënë këto deklarata në cilësinë e anëtarit të Këshillit Bashkiak, Tiranë, në të cilat ngre disa pyetje: Sa ka kushtuar dekorimi i Tiranës për festën e Pavarësisë? Kur është shpallur dhe kur është zhvilluar tenderi për dekorimin? Kush kanë qenë kompanitë që kanë aplikuar dhe si është përzgjedhur kompania që bëri dekorimin? Në cilën kompani u printuan materialet? Çfarë di Lulzim Basha për projektin e shtëpive në rrugën Murat Toptani? A di gjë Lulzim Basha se sa është shifra që po përcaktohet për festime. Gjykata tha se zoti Dalipi nuk ka kërkuar asnjë dokument në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që në seancë gjyqësore u parashtruan disa kërkesa dhe dokumente të tjera të kompanive të interesuara. Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se, puna e bashkisë ka lidhje të drejtpërdrejtë me përmirësimin e standardeve të jetesës së komunitetit. Për këtë arsye, këto deklarata, të cilat nuk paraqesin realitetin, synojnë të ndikojnë negativisht në opinionin e komunitetit. Ndonëse si paditësi, si person juridik, dhe kryetari i tij ushtrojnë detyrën në bazë të ligjit dhe për këtë fakt duhet të jenë të përgatitur të përballojnë deklarata (që mund të jenë edhe deri në kufijtë e fyerjes) prapë se prapë në rastin e shprehjeve të pavërteta (që lidhen me akuza konkrete për afera korruptive), ka të drejtë të gëzojë mbrojtjen për cenimin e nderit e të personalitetit. Janë pikërisht deklaratat e pavërteta të të paditurit që kanë sjellë si pasojë cenimin e personalitetit të Bashkisë Tiranë dhe kryetarit të saj në kryerjen e detyrës, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës, i cili përfundon se shuma prej një milion lekësh çmohet si një shumë e arsyeshme për rrethanat konkrete, gravitetin e akuzave, si dhe kompleksitetin e kësaj çështjeje. Megjithatë, kjo shumë është reduktuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë me 200 mijë lekë. s.ç.

Box

Reagimi në Twitter

Gjykata e Apelit i bëri dhe një shërbim të fundit Lulzim Bashës. Një gjobë mjerane ndaj meje si anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës për denoncim të korrupsionit. Asnjë presje su heq deklaratave të mia për korrupsion të Lulzim Bashës. Presioni në prag të mbledhjes, ku Basha humb shumicën në Këshillin Bashkiak tregon panik!

Gjykatë

Mazhoranca, lum padish në gjykatë kundër socialistëve

Akuzat politike mes dy kampeve më të mëdha politike në Shqipëri, kanë përfunduar në gjykatë, ku deputetë të mazhorancës kanë paditur opozitarët për prishje dinjiteti dhe shpifje. Më të goditurit kanë qenë deputetët Saimir Tahiri dhe Taulant Balla, megjithëse janë bërë padi edhe ndaj disa deputetëve të tjerë. Madje, Tahiri është dënuar disa herë nga gjykata, ku i duhet të paguajë shuma në lekë si dëmshpërblim ndaj fëmijëve të Kryeministrit apo deputetes demokrate Albana Vokshi. Gjykata ka shpejtuar me këto çështje dhe pasi janë miratuar në Shkallën e Parë, Apeli i ka vulosur, për tu hapur rrugë urdhrave të ekzekutimit, të cilat janë dhënë menjëherë. Ndërkohë, edhe deputeti Taulant Balla ka procese të hapura, madje me dhëndrin e Kryeministrit dhe një nga krerët e Policisë së Shtetit.

Apeli, gjobë 200 mijë lekë Aldrin Dalipit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›