Apeli i Fullanit: Masat antikrizë të BE-së po dëmtojnë Shqipërinë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i ftuar në një konferencë të nivelit të lartë, me rastin e 20-vjetorit të institutit Joint Vienna, deklaroi se masat antikrizë të ndërmarra nga Bashkimi Europian, që detyrojnë bankat të rregullojnë bilancet e kredive në raport me kapitalet e tyre, po dëmtojnë Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Si rezultat i interpretimit të rregullores së EBA-s, një nga bankat e huaja që operon në Shqipëri e uli ekspozimin ndaj borxhit të qeverisë shqiptare me 3 pikë përqindjeje të PBB-së brenda një periudhe tremujore. Këto veprime shkaktuan zhbalancime në nivelin e likuiditetit në tregun ndërbankar, të cilat nuk mund të zgjidheshin në një kohë të shpejtë për shkak të problemeve strukturore, deklaroi Fullani. Këto zhbalancime u shoqëruan me rritje të normës së interesit për letrat me vlerë të borxhit të qeverisë, duke kufizuar mekanizmin e transmetimit të politikës monetare. Ulja e ekspozimit ndaj letrave me vlerë të borxhit të qeverisë nuk përkon me një rritje të ngjashme të ekspozimit ndaj kredisë për sektorin privat, duke kontribuar në një rritje më të ulët të kredisë, vijoi ai. Zoti Fullani nënvizoi se barra financiare e rregullave të reja të BE-së nuk po ndahet në mënyrë të barabartë, por po godet më fort vendet në zhvillim si Shqipëria. Për këto arsye, përfitoj nga kjo mundësi për tu bërë një apel të gjithë vendimmarrësve përkatës të BE-së, që të konsiderojnë, me po të njëjtën vëmendje, ndikimin e vendimeve të tyre në ekonomitë që gjenden në procesin e konvergjencës. Ne gjendemi në të njëjtën varkë dhe besoj se duhet të vozisim në të njëjtin drejtim, theksoi Fullani. Fullani theksoi se që prej fundit të vitit 2011, krahas këtyre presioneve, po përballemi me një problem të ri, ekspozimit të grupeve të huaja bankare ndaj borxhit privat dhe atij publik, duke ndërprerë kreditimin dhe duke mos marr pjesë në blerjen e bonove të thesarit të qeverisë. Sipas Guvernatorit ky zhvillim negative ka ardhur prej direktivave të bankave mëmë nga jashtë dhe jo nga realiteti i filialeve të tyre në Tiranë. Të gjitha këto implikime negative mund të cenojnë më tej stabilitetin financiar dhe atë fiskal, paralajmëroi Guvernatori. Guvernatori tha më tej se kriza që nisi në vitin 2008 ka mbërritur tani në fazën më akute dhe masat e marra deri më tani nuk kanë dhënë efektet e dëshiruara, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë në nivel rajonal.