Linja e interkonjeksionit, banka gjermane KFW i vë kushte Bodes
Banka gjermane KFW i ka dërguar një letër ministrit të Financave Ridvan Bode, ku i kërkon informacione se çdo do ndodh me ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, duke i vendosur paralelisht disa kushte në rast se qeveria jonë merr vendimin për ritenderim të projektit në fjalë. I gjithë ky reagim erdhi pas bllokimit që qeveria shqiptare i ka bërë ndërtimit të kësaj linje tashmë prej disa muajsh. Banka gjermane KFW, është financuese e projektit në fjalë.
Tenderi
Tenderi për linjën u zhvillua në mars të vitit të kaluar, ku fituese rezultoi kompania kroate Dalekovod. Por qeveria shqiptare e bllokoi fillimin e punimeve, duke u shprehur se i çmimi i ofruar ishte rreth 8 milionë euro më i lartë se oferta e dyte. Qeveria tentoi të zëvendësonte fituesin për ta lidhur kontratën me kompaninë boshnjake “Energoinvest”, qe hasi bllokadën e KFW-së. Banka gjermane ende nuk ka marre një përgjigje se çfarë do të bëjë qeveria shqiptare ndaj se fundmi i kërkon në letrën e radhës drejtorit të OST-se, Arben Ibroja dhe ministrit të Financave Ridvan Bode, të marrin një vendim përfundimtar nëse do e pranojnë fituesin e tenderit.
Banka gjermane
KFË i rikujton edhe një herë qeverisë shqiptare se tenderi ishte transparent dhe në përputhje të plotë me rregullat e rëna dakord më parë nga Operatori shqiptar i transmetimit, ai i Kosovës si dhe nga vete banka. Në këtë kontekst do të donim të nënvizonim faktin se nëse qeveria shqiptare do të vendosë ritenderimin e linjës, kostot e saj do të jenë edhe më të mëdha nga tenderi i parë, thuhet në letrën e fundit që dy drejtues të lartë të bankës gjermane i dërgojnë ministrit të financave Bode dhe drejtorit të OST.
Kushtet
Më tej banka i bën të ditur qeverisë se nëse opsioni i saj i vetëm është ritenderimi, ajo do ta pranojë anulimin e tenderit të parë vetëm kundrejt disa kushteve. Kushti i parë i vendosur nga gjermanët është ai që anulimi i tenderit të kërkohet nga të dy palët e përfshira, si OST-ja shqiptare ashtu dhe operatori i transmetimit të Kosovës duke shpjeguar dhe arsyet përkatëse. Por pala kosovare e ka cilësuar tenderin si të rregullt duke i pranuar rezultatet e tij, çka mund të rrezikojë të shtyjë vonesat pafund të ndërtimit të linjës. Kushti i dytë i kërkuar nga KFË është që të dy operatorët e sistemeve të transmetimit të bien dakord për metodën që do përdoret për vlerësimin e kostove që ka procesi i ritenderimit. Gjithashtu një tjetër kusht është ai i moscenimit të standardeve teknike.
Garancia
KFË nuk mund të bëjë kompromis në këtë çështje dhe të lejojë uljen e standardeve teknike”, thuhet në letër. Ndërsa kushti i fundit lidhet me garancitë që banka kërkon nga qeveria shqiptare se nuk do të bllokojë sërish edhe një tender të dytë të mundshëm. “Ne kërkojmë një deklaratë zyrtare nga pala shqiptare, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe OST, ku të pranohet se procesi i ritenderimit do të zhvillohet sipas standardeve të KFW-së do të pranohet nga OST pavarësisht kostos së fituesit”.
Apeli
Kjo deklaratë është e nevojshme përpara se të rihapen procedurat për një tender të dytë, theksohet në letrën që dy drejtuesit e lartë të bankës gjermane i dërgojnë palës shqiptare. Këto parakushte thuhet në letër, i janë bërë të njohura edhe kryeministrit Sali Berisha nga vetë ambasadorja gjermane në Shqipëri në datën 7 maj të këtij viti. Në fund duke bërë të ditur se ky vendim i KFË për parakushtet i është komunikuar edhe qeverisë gjermane banka nxit edhe një herë OST dhe Ministrinë e Financave të marrin vendimin përfundimtar për të vazhduar më tej bashkëpunimin e ngushtë.