Lotaria Kombëtare, kompania fituese do përjashtohet nga taksat
Kompania që do të fitojë licencën e Lotarisë Kombëtare do të jetë e favorizuar në pagimin e taksave në Shqipëri krahasuar kjo me vendet e tjera. Ministri i Financave ka thënë se paratë e munguara nga shitja do kompensohen përmes taksave të larta ndaj kompanisë fituese.
Krahasimi me jashtë
Nëse do të bënim një krahasim me vjeljen e taksave në vendet e tjera, rezulton se Lotaria Kombëtare e Austrisë, njëra nga dy konkurrentet që po garojnë për të marrë licencën në Shqipëri, e mbylli vitin e kaluar me një xhiro prej rreth 2.9 miliardë euro. Qeveria austriake ka vendosur dy taksa të posaçme mbi Lotarinë Kombëtare, njëra quhet tarifa e licencës, ndërsa tjetra tarifa e basteve. Vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare nga vetë bilanci i saj, Lotaria Austriake pagoi vetëm për këto dy taksa 447 milionë euro ose 15.4 për qind të xhiros totale.
Detyrime të tjera
Veç këtyre taksave, qeveria austriake i ka vendosur detyrim kompanisë të paguajë viti për vit 3 për qind të xhiros bruto, si mbështetje për sportin. Vitin e kaluar për këtë zë Lotaria Kombëtare e Austrisë pagoi edhe 80 milionë euro të tjera. Në total të dy detyrimet ishin sipas të dhënave të vetë kompanisë 527 milionë euro ose 18.2 për qind të xhiros. Këto janë vetëm taksat e posaçme që lidhen me Lotarinë, pa përfshirë taksat e tjera qe ajo paguan si çdo biznes tjetër si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi mbi Fitimin apo kontributet për punonjësit.
Situata në Shqipëri
Por si do të taksohej e njëjta kompani me të njëjtën xhiro në Shqipëri sipas taksave që ka vendosur qeveria dhe për të cilat pretendon se janë të larta. Së pari, kompania fituese në Shqipëri nuk do ketë asnjë detyrim për të financuar sportin apo kulturën. Detyrimet e vetme që ajo do paguajë janë dy taksa të lidhura me aktivitetin e lotarisë, ajo prej 10 për qind si tatim mbi xhiron bruto dhe 0.5 për qind si pagesë për mbikëqyrjen. Në total me këto dy taksa, nëse do të realizonte në Shqipëri të njëjtën xhiro si në Austri, pra 2.9 miliardë euro, kompania do të paguante këtu vetëm 304 milionë, që përbën 10.5 për qind të xhiros ose gati dy herë më pak se sa në Austri.
Favorizimet
Ky krahasim i bazuar në të dhënat zyrtare e rrëzon pretendimin e qeverisë se kompania që do fitojë Lotarinë do të taksohet fortë. Përkundrazi, përveçse po ja shet licencën me çmimin simbolik prej vetëm 3.5 milionë euro, qeveria i ka bërë edhe favor tek taksat kompanisë që do fitojë licencën e lotos, në një nga tenderat më të debatueshëm dhe të përfolur në Shqipëri. Dhe këto llogari janë bërë pa përfshirë fitimet që shpërndahen si çmime për lojtarët. Në Austri kompania ndan 70 për qind të xhiros si fitim dhe nëse i shtohen dhe taksat apo shpenzimet e tjera, fitimi i saj mbetet vetëm 1.3 për qind. Ndërsa në Shqipëri, veç taksave të ulëta dhe licencës gati falas, ajo gjithashtu nuk do të ketë as edhe një detyrim për pjesën që duhet ti kthejë lojtarëve përmes çmimeve.
Çmimi i shitjes së licencës
Në Irlandë një shtet me 4.4 milionë banorë çmimi i shitjes së licencës paraprakisht po përflitet nga 400 deri në 600 milionë euro.
Qeveria greke po ashtu e shiti licencën për dhjetë vjet me një çmim prej 400 milionë eurosh.
Në Turqi kompania fituese e pagoi licencën 2 miliardë euro.
Për Maltën, një vend me rreth 400 mijë banorë, shifra me të cilën u shit e drejta e lotarisë tashmë është e njohur për publikun, rreth 39 milionë euro.
Ndërsa në Shqipëri një vend me 2.8 milionë banorë, (sipas censusit të fundit), qeveria po e shet licencën me çmimin simbolik 3.5 milionë euro
Krahasimi i barrës fiskale
Qeveria e Irlandës e cila po planifikon të hedhë në tender licencën e Lotarisë Kombëtare ka vendosur paraprakisht se fituesi do të paguajë në shtet 30 përqind.
Në Afrikën e Jugut, kompania që ka licencën e Lotarisë Kombëtare paguan 35 përqind.
Në Austri shifra është 15 përqind dhe madje licenca është monopol shtetëror i dhënë tek privati vetëm për administrim.
Në Maltë që është një nga vendet, ku licenca sapo u tenderua, fituesi paguan në shtet 20 përqind taksë.