Ish-pronarët, ligj i ri për kthimin e banesave
Të gjitha banesat e zaptuara do tju kthehen pronarëve të ligjshëm. Vendimi është komunikuar dje nga vetë kryeministri Berisha, në mbledhjen e Qeverisë, i cili ka kërkuar hartimin e një ligji të posaçëm që do të merret me procesin e lirimit të banesave të zëna, dhe kthimit të tyre banorëve të vërtetë. Do të jetë Ministria e Transporteve dhe Enti i Banesave në bashkëpunim me qeveritë vendore, që do të merren me zbatimin e këtij ligji.
Berisha
Kryeministri tha se abuzimeve me pronësinë e këtyre banesave duhet tu vijë fundi dhe se të gjitha falsifikimet e bëra duhet të jenë tashmë objekt denoncimesh në prokurori. Më tej kryeministri u shpreh se ndonëse ka dy vjet që banorëve aktualë të banesave u janë ofruar kredi me zero interes, përsëri procesi i kthimit tek pronarët ka hasur në pengesa, gjë e cila nuk do të lejohet më. Në këtë kontekst, kryeministri bëri të ditur se ligji duhet të parashikojë se në rast se brenda një afati të caktuar bashkia nuk e zbaton ligjin, Enti i banesave do të ndërhyjë me gjithë forcën e ligjit për të zbatuar atë.
Projektligji
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Berisha kërkoi nisjen menjëherë nga puna të hartimit të draftit. Duhet të përgatisni menjëherë projektligjin që banesat tu lirohen pronarëve dhe do të ngarkohet për këtë Enti i banesave bashkë me qeveritë vendore dhe do të përdoren të gjitha mjetet e shtetit për të zbatuar ligjin. Ne u ofrojmë banuesve të tyre kredi me zero interes, por shtëpia e pronarit duhet të lirohet. Ne kemi mbi dy vjet që kemi përcaktuar shumën, kemi ofruar kredinë, por diku funksionon, diku jo se kryetari i bashkisë nuk i pyet. Kjo nuk do të jetë më kështu. Pronarëve duhet tu kthehen shtëpitë. Dhe ta dini se ka një mal të turpshëm falsifikimesh mbi to. Që të gjitha duhet të jene objekt denoncimesh në prokurori. Përpjekjet për tu përvetësuar pronarëve shtëpinë janë të jashtëzakonshme. Shtëpitë duhet të lirohen, tha dje Berisha.
Zbatimi
Ligji duhet të parashikojë se në rast se brenda një afati të caktuar bashkia nuk e zbatojnë ligjin, Enti i banesave do të ndërhyjë me gjithë forcën e ligjit për të zbatuar ligjin. Shtëpitë duhet tu kthehen pronarëve të vërtetë. Shumica janë kthyer, por përsëri janë me mijëra që kanë mbetur pa u kthyer, të cilat kryesisht në Tiranë , sepse këtu ka pasur më shumë, deklaroi më tej kryeministri.
Pensionet, Berisha: Opozita të mbështes reformën
Në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive kryeministri Berisha ka kërkuar mbështetjen e socialistëve sa i përket projektit mbi skemën e pensioneve. Banka Botërore ka përgatitur me kohë, një nga platformat më të mira. Mirëpo opozita e pranon atë privatisht dhe e refuzon publikisht, u shpreh Berisha. Duke vlerësuar që ky sistem pensionesh do të qëndrojë për shumë vite, Berisha u shpreh se do të vazhdohet me përpjekjet për të bindur opozitën për ta miratuar. Ky nuk është një ligj që kërkon për miratim 3/5 në Parlament, por, duke pasur parasysh se është një sistem që vendoset së paku për 30-40 vitet që vijnë, është mirë që ai të ketë mirëkuptimin e të dy krahëve të politikës. Kjo platformë synon përmirësimin e një sistemi të vendosur 20 vite më parë dhe që sot ka pa diskutim nevojë, të marrë një formë tjetër”, u shpreh Berisha. Sistemi arsimor, ai shëndetësor, Shqipëria dixhitale si dhe sistemi i vaditjes mbeten prioritetet e qeverisë për të arritur stadin si vend i zhvilluar.