E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Apeli i GJKKO dënon me 2 vite e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendoi sot deklarimin fajtor të ish-kryetarit të bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe dënimin e tij me 2 vjet e 8 muaj burgim, pasi u gjet fajtor për lejimin e tjetërsimit të pronave në zonën e njohur si Rana e Hedhun.

Ky vendim kthen në qeli ish-kryebashkiakun, i cili u dënua nga Shkalla e Parë në mars të këtij viti me 1 vit e 4 muaj burg, dënim që nuk e kreu të plotë pasi përfitoi nga amnistia penale.

Gjithashtu Apeli i GJKKO deklaroi fajtor Bledar Carën për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe vendosi dënimin e tij me 1 vit e 4 muaj burgim.

Apeli i GJKKO gjithashtu deklaroi fajtore të pandehurën J.M., për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe dënimin me 1 vit e 4 muaj burgim.

Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurën J.M. dhe vënien në provë për një afat prej 5 vjet, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.

Urdhërohet e pandehura J.M. që të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës, Zyra Vendore Lezhë.

Gjithashtu të pandehurës J.M. i është caktuar dënimi plotësues, heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 5 pesë vjet.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›