Vlorë – Sekuestrohen 31 805 euro të padeklaruara, dy të proceduar

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Policia e Vlorës njofton se ka goditur një rast të mos deklarimit të parave. Sipas njoftimit, janë proceduar 2 shtetas dhe u sekuestruan 31 805 euro, të cilat ishin vendosur në 4 pako.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në autobusin e një agjencie udhëtimi. Në pjesën fundore të një sediljeje, u gjetën dhe u sekuestruan 31 805 euro, të ndara në 4 pako të mbështjella me letër celofani”, njofton Policia e Vlorës.
“Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për 2 drejtuesit e autobusit, shtetasit B. K., 46 vjeç dhe S. V., 29 vjeç, të dy banues në Vlorë.Automjeti dhe shuma e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, lexohet nw njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Eurot e sekuestruara nga Policia e Vlorës 1 nga 2