Apeli i GJKKO lë në burg Erion Veliajn, SPAK deklaron se në dy muaj janë kryer 114 veprime hetimore

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke rrëzuar kërkesën e tij për ndryshim mase.
Vendimi u mor gjatë seancës së kësaj të mërkure, kur trupi gjykues shqyrtoi kërkesën e Veliajt dhe hetimet paraprake të zhvilluara nga SPAK-u.
Gjykata u njoh edhe me informacionin dymujor mbi veprimet hetimore të ndërmarra nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion.
Sipas deklaratave të SPAK-ut, në këtë periudhë janë kryer 114 veprime hetimore që lidhen me dosjen ndaj Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Apeli i Gjykatës së Posaçme rrëzoi edhe kërkesën për ndryshim mase sigurie për biznesmenin Elman Abule, i cili vijon të qëndrojë në arrest shtëpie.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, në ambientet e Bashkisë së Tiranës, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në 9 raste, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në kuadër të këtij hetimi, edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, është marrë e pandehur dhe ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/