Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për sekuestron e pasurisë së Arben Ahmetajt

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestron e pasurisë së ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Nëpërmjet avokatit të tij, Ahmetaj kërkoi nga apeli i GJKKO-së kthimin e apartamentit në Tiranë që iu sekuestrua nga SPAK.
Në respektim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK dhe BHK ka proceduar me zbatimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 pasuri, nga të cilat 4 apartamente (njëri i përshtatur si Airbnb) në pronësi të Ahmetajt si dhe dy llogari bankare në shumën 124 300.
Ndaj ish-zv.kryeministrit Ahmetaj është lëshuar nga SPAK urdhër-arresti ndërkombëtar.
Kujtojmë se më 14 korrik, Kuvendi i hapi rrugën arrestimit të Ahmetajt dhe kontrollit të banesës së tij, me kërkesë të SPAK-ut.
Ish-zv.rkyeministri akuzohet për korrupsion pasiv në 6 raste, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Hetimi ka përfshirë edhe bisedat e tij telefonike të para 11 viteve.
Nga to ka rezultuar se nga data 21 korrik 2012 deri në 10 tetor 2012, për gati tre muaj, ka pasur 138 komunikime telefonike dhe 3 287 mesazhe mes Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit.
Më pas SPAK thotë se janë faktuar edhe lidhjet mes Ahmetajt dhe Klodian Zotos, biznesmenit të incineratorëve.
Sipas hetimeve rezulton që të ketë përfituar rreth 500 mijë euro përfitime nga viti 2016 deri më 2020. SPAK ka arritur të zbulojë edhe e-maile të shkëmbyera kur Zoto informohej mbi procedurat për incineratorët.
/rtsh.al/