Rama për “La Stampa”: Meloni është një surprizë e madhe për klubin euro-atlantik

Marrëdhëniet e Kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane, Giorgia Meloni janë konsideruar si të shkëlqyera nga kreu i qeverisë shqiptare.
Në një intervistë për median italiane “La Stampa“, Rama ka shprehur vlerësimet më të larta për Melonin, e cila sikurse thotë ai, është një surprizë e madhe për klubin euro-atlantik.
“Unë kam pasur gjithmonë marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha qeveritë, siç është vendi im që kur hymë në botën e lirë. Giorgia jo për mua, por për klubin euroatlantik është një surprizë e madhe. Në të gjitha rrethanat ndërkombëtare ajo shihet me respekt të prekshëm, ka karizëm dhe thotë të gjitha gjërat e duhura”, u shpreh Rama.
Ndërtimi i portit në Durrës, situata mes Kosovës e Serbisë dhe lufta në Ukrainë, ishin disa prej çështjeve kyçe në të cilat u ndal kreu i qeverisë në intervistën e tij.
Rama u shpreh se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të pranojë planin franko-gjerman, sepse sikurse shprehet ai “ka një mundësi fantastike“.
“Unë e respektoj këtë, por do të bëja zgjedhje krejtësisht të ndryshme. Ai është kokëfortë dhe maksimalist. Ka një mundësi fantastike, planin e paqes franko-gjerman. Marrëveshjet nuk qëndrojnë përgjithmonë në tavolina. Atëherë, historia të bën të presësh”, u shpreh Rama.
Ky i fundit, pyetur në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga Serbia për agresionin rus mbi Ukrainë, deklaroi se është i bindur në vendimin që do të marrë Beogradi, duke zgjedhur Perëndimin.
“Serbia duhet parë ndryshe. Ajo ka një të kaluar shumë serioze si agresore, është autore e një spastrimi etnik që duhet ta lërë pas. Ai e ka ndërtuar politikën e tij të jashtme si një korridor pasqyrash midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Ai duhet të marrë një vendim, por unë mendoj se ai do të zgjedhë Perëndimin, botën demokratike”, tha Rama.
/rtsh.al/