E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Krimeve të Rënda: Burg përjetë Orik Shytit dhe Altin Arapit

TIRANË- Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në fuqi vendimin e një viti më parë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për drejtuesit e organizatës kriminale "Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi". Sipas vendimit të marrë sot, Orik Shyti dhe Altin Arapi janë dënuar me burgim të përjetshëm.
Kjo Gjykatë la në fuqi vendimet për të pandehurit e tjerë të kësaj organizate, konkretisht denimin me 25 vjet burg për të pandehurit Gentian Caka dhe Roland Shyti. Ndërsa të pandehurit Leart Shyti, Nikolin Novruzaj dhe Kreshnik Spahiu janë dënuar me 24 vjet burg dhe Dritan Hate me 23 vjet burg.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ndryshoi vendimin për të pandehurit Pasho Norvuzaj dhe Gëzim Gjonin, duke i dënuar përkatësisht me 17 dhe 5 vjet burg nga 22 dhe 10 vjet që i kishte dënuar Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Të pandehurit e kësaj organizate akuzohen për një sërë krimesh të rënda, ndër të cilat akte terroriste, vrasje, grabitje, etj, të ndodhura vite më parë në Shqipëri. Të akuzuarit si anëtarë të saj, sipas prokurorisë janë përgjegjës edhe për vrasjen e ish- drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi.
Të dyshuarit si anëtarë të "Hakmarrjes Shqiptare për Drejtësi", janë proceduar në mungesë për vite me radhë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Me të njëjtin status, ata janë proceduar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e së fundi edhe nga ajo e Apelit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›