KQZ miraton rezultatin e Tiranës. Subashi, kundër
TIRANË- Pas shumë debatesh dhe megjithë kundërshtimin e përfaqësuesve të PS-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi tabelën e rezultateve përfundimtare të zonës zgjedhore, Qarku Tiranë.
Shqyrtimi i këtij p/vendimi mbështetet mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga KZAZ-të e këtij qarku, numri i të cilave ditën e votimeve ishte 16. Pas verifikimeve dhe korrigjimeve të nevojshme nga administrata e KQZ-së, të tabelave përmbledhëse të paraqitura nga çdo KZAZ e kryeqytetit, Komisioni miratoi rezultatet përfundimtare zgjedhore për Qarkun më të madh të vendit, me 4 vota pro dhe 3 kundër.
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, përfaqësuese e PS-së, shpjegoi votën kundër vendimit, që sipas saj lidhet me konstatimin e disa parregullsive ligjore në disa KZAZ të Tiranës.
"KQZ, nuk është kompetente për ta miratuar tabelën sepse i referohet nenit 35 te pika 5 të Kodit Zgjedhor, i cili thotë se mungesa e një vendimmarrje në KZAZ merret në kompetencën e KQZ-së, vetëm në rastet kur KZAZ i jep kompetencën KQZ për të marrë vendimmarrjen e munguar të KZAZ-së. Në këtë fazë të procesit kjo vendimmarrje nuk është në kompetencë të KQZ-së"- u shpreh nënkryetarja e KQZ Dëshira Subashi.
Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, në votimet e 28 qershorit në qarkun e Tiranës koalicioni "Aleanca e ndryshimit" fitoi 16 mandate, koalicioni "Bashkimi për ndryshim" 15 mandate, ndërsa LSI 1 mandat.
Për ditën e zgjedhjeve në qarkun e Tiranës funksionuan 826 qendra votimi të grupuara në 16 KZAZ, ndërkohë që numri i zgjedhësve ishte 725.446.