E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i fundit, Rama: Kolegji të përsërisë zgjedhjet në Tiranë

Rama: “Fitorja jonë u tjetërsua nga humbësi në tavolinën e KQZ-së dhe u mohua nga Kolegji i parë, që e ligjëroi ndryshimin arbitrar të rregullave të lojës në mes të lojës, pavarësisht opinionit të qartë të arbitrit ndërkombëtar, misionit të ODIHR-it, e deklaratave pa ekuivok të pakënaqësisë së miqve e partnerëve të Shqipërisë, për ndryshimin e rregullave nga KQZ-ja”

TIRANË Kryetarit të PS-së, Edi Rama, i ka mbetur vetëm shpresa për vendimin e sotëm të Kolegjit Zgjedhor, lidhur me shpalljen ose jo të pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Tiranë. “Ne shpresojmë që pesë gjykatësit e Kolegjit të nesërm (sotëm) të respektojnë Kushtetutën dhe të mos e ligjërojnë në asnjë mënyrë rezultatin haptazi antikushtetues të KQZ-së. Të respektojnë standardet ndërkombëtare, të interpretuara më së miri nga vetë Komisioni i Venecias për rastin konkret të mospërputhjes së shifrave në tabelat e rezultateve, dhe të mos shpikin një tjetër standard të amoralitetit ekstra-ligjor, që sundon në shtetin e kapur prej Saliut”, - tha dje Rama, përmes një konference për shtyp. Kryetari i PS-së i është referuar vendimeve të mëparshme të pesë anëtarëve të Kolegjit, të cilët, sipas tij, për disa njësi të tjera vendore kanë shpallur pavlefshmëri të zgjedhjeve kur ka pasur mospërputhje shifrash, mes numrit të votuesve dhe votave të hedhura në kuti. “Të respektojnë në fund të fundit vetë precedentët e paravendosur prej atyre vetë, në po këto zgjedhje, për të njëjtin rast papërputhshmërie, në disa njësi vendore, ku të pestë gjykatësit e nesërm kanë vendosur pavlefshmërinë, duke detyruar përsëritjen e zgjedhjeve, dhe të mos hyjnë në histori për një vetëmohim në paligjshmëri. Ne i fituam zgjedhjet në Tiranë. Të gjithë e panë sepse të gjithë shqiptarët, brenda e jashtë vendit, i numëruan në kohë reale votat e Tiranës përmes televizorit”, - tha Rama, duke shtuar se fitorja në favor të tij u tjetërsua nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. “Fitorja jonë u tjetërsua nga humbësi në tavolinën e KQZ-së dhe u mohua nga Kolegji i parë që e ligjëroi ndryshimin arbitrar të rregullave të lojës në mes të lojës, pavarësisht opinionit të qartë të arbitrit ndërkombëtar, misionit të ODIHR-it, e deklaratave pa ekuivok të pakënaqësisë së miqve e partnerëve të Shqipërisë, për ndryshimin e rregullave nga KQZ-ja. Si fitimtarët e zgjedhjeve, por edhe në emër të interesit publik e kombëtar, për të mos lejuar që kriza e zgjedhjeve të thellohet në Shqipëri, përkundrazi, për të mundësuar daljen nga kriza e zgjatur prej dy vjetësh dhe e rënduar edhe më shumë nga kriza e zgjedhjeve në Tiranë, ne jemi gati të rikthehemi para popullit Sovran të Tiranës, për një rigjykim përmes votës. U them anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor: Mos kini frikë të jepni drejtësi!”, - tha Rama. Ai shtoi: “Dua të rikujtoj sot se, një vendim kolegji haptazi i paligjshëm për zgjedhjet e qershorit 2009, u bë zanafilla e një historie të vështirë, të ngarkuar e të ngatërruar, me të gjitha kostot që vendi i pagoi mbajtjes në kurriz të pushtetit të votave të vjedhura. Një vendim kolegji, në përputhje me ligjin dhe vetëm me ligjin, mund të bëhet nesër zanafilla e një historie krejt tjetër, duke provuar se në Shqipëri vota s’mund të vidhet dot në tavolinë dhe as drejtësia nuk mund të varroset dot me dhunën e pushtetit të votave të vjedhura”.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›